Republika Sërpska miraton raport që e mohon genocidin në Srebrenicë
Parlamenti i Republikës Sërpska në Bosnjë e Hercegovinë miratoi të enjten një raport, i cili thekson se vrasja e 8.000 myslimanëve në Srebrenicë gjatë luftës së Bosnjes, nuk përbën genocid. Më 2007, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e shpalli genocid krimin në Srebrenicë, në të cilin u vranë më shumë se 8.000 burra dhe djem boshnjakë më 1995 nga Ushtria e Republikës Sërpska.
Masakra e Srebrenicës është cilësuar si më e rënda në Evropë prej Luftës së Dytë Botërore. Megjithatë, presidenti nacionalist i Republikës Sërpska, Millorad Dodik, tha para ligjvënësve se “nuk ka ndodhur genocid, prandaj një cilësim i tillë duket të hidhet poshtë”. “Serbët nuk kanë kryer genocid”, shtoi ai.
Ky vendim u mor në një kohë kur Serbia dhe Republika Sërpska janë duke bërë fushatë kundër një draft-rezolute, e cila është duke u diskutuar në Kombet e Bashkuara për ta shpallur 11 korrikun si Ditën Ndërkombëtare të Kujtimit të Genocidit në Srebrenicë.
Asambleja e Përgjithshme e OKB-së pritet ta votojë në fillim të majit këtë draft-rezolutë. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha javën e kaluar se Serbia do të luftojë kundër miratimit të kësaj rezolute në OKB, e cila do t’i fajësonte serbët. Ai druhet se rezoluta mund të krijojë bazën për boshnjakët që të kërkojnë dëmshpërblim lufte nga Serbia, aleatja e serbëve të Bosnjës gjatë luftës.
Rezoluta është pjesërisht e ngjashme me rezolutën për genocidin e Ruandës, ku rreth 800.000 tutsi dhe hutu ishin vrarë. Drafti i saj është zhvilluar nga një grup vendesh, përfshirë Ruandën, Gjermaninë, Francën dhe Shtetet e Bashkuara. Deri tani, më shumë se 50 njerëz janë dënuar me mbi 700 vjet burgim për genocid dhe krime të tjera në Srebrenicë.
Radovan Karaxhiq, presidenti i parë i Republikës Sërpska [1992/1995], entitetit kryesisht serb i cili bashkë me federatën boshnjake dhe atë kroate e përbëjnë Bosnjën, u dënua me burgim të përjetshëm për genocid dhe krime të tjera, përfshirë në Srebrenicë.
Komandanti i ushtrisë së Republikës Sërpska në atë kohë, Ratlko Mlladiq, po e vuan një dënim me burgim të përjetshëm për genocid po ashtu./REL