Bota

Të paktën 5 të vrarë në Gaza pasi ushtria izraelite bombardon qindra palestinezë të zhvendosur që po ktheheshin në veri

Shpërndaje

Të paktën pesë palestinezë u vranë, përfshirë një grua, si dhe disa të tjerë u plagosën kur ushtria izraelite bombardoi qindra palestinezë të zhvendosur që po përpiqeshin të kthehen në shtëpitë e tyre në zonën veriore të Rripit të Gazës, raporton Anadolu.

“Pesë viktima, duke përfshirë një grua, si dhe disa të plagosur mbërritën në spitalin Al-Awda në kampin Nuseirat në Rripin e Gazës qendrore”, thanë burimet mjekësore për Anadolu.

Viktimat ndodhën në mesin e “palestinezëve të zhvendosur që u përpoqën të kthehen në Gazën veriore përmes rrugës Al-Rashid”.

Një korrespondent i Anadolut raportoi se granatimet e artilerisë izraelite shënjestruan qindra palestinezë të zhvendosur gjatë përpjekjeve të tyre për t’u kthyer në zonën veriore të Rripit të Gazës.

Më herët, zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Achivay Adraee, shkroi në rrjetet sociale se raportet se forcat e ushtrisë izraelite lejojnë kthimin e popullsisë palestineze në zonën veriore të Rripit të Gazës janë “thashetheme të rreme dhe krejtësisht të pabaza”.

“Ushtria izraelite nuk lejon kthimin e banorëve, as përmes rrugës Salah al-Din dhe as përmes rrugës Al-Rashid”, tha Adraee.

Ai paralajmëroi palestinezët që të mos afrohen me forcat izraelite që veprojnë në zonën veriore të Rripit të Gazës.

“Rripi i Gazës veriore është ende një zonë lufte dhe ne nuk do të lejojmë kthimin në të”, tha ai.

Qindra palestinezë po përpiqen të kthehen në Gazën veriore përmes rrugës Al-Rashid dhe shumë pak prej tyre dhe sipas korrespondentit të Anadolut, shumë pak prej tyre, të gjitha gra dhe fëmijë, ia dolën të arrijnë në Rripin e Gazës veriore.

Dëshmitarët konfirmuan se ushtria izraelite u kërkoi atyre të kthehen në zonën jugore të Rripit të Gazës dhe hodhën shok-bomba ndaj tyre për të parandaluar arritjen e tyre në veri.

Izraeli ka zhvilluar një ofensivë vdekjeprurëse në Rripin e Gazës që nga sulmi ndërkufitar i Hamasit më 7 tetor dhe që atëherë janë vrarë të paktën 33.700 palestinezë dhe rreth 76.400 të tjerë janë plagosur. Në sulmin e Hamasit, sipas Tel Avivit, u vranë afër 1.200 njerëz.

Sipas OKB-së, lufta izraelite ka çuar në zhvendosjen e brendshme të 85 për qind të popullsisë së Gazës mes mungesës akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve. Po ashtu 60 për qind e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar.

Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila në një vendim të përkohshëm në muajin janar urdhëroi Tel Avivin të ndalojë aktet e gjenocidit dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza.