Bota

“Ukraina nuk do të jetë Afganistani i dytë”, thotë Zelensky pas miratimit të paketës me ndihmë amerikane

Shpërndaje

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se paketa thelbësore e ndihmës së SHBA-së për Ukrainën dërgon “një sinjal të fuqishëm” se vendi i tij “nuk do të jetë Afganistani i dytë”.

Pas muajsh bllokimi, demokratët dhe republikanët u bashkuan në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-së për të miratuar paketën prej 60.8 miliardë dollarëve për të ndihmuar Ukrainën të shmang pushtimin rus.

“Kjo ndihmë do të forcojë Ukrainën dhe do t’i dërgojë Kremlinit një sinjal se vendi ynë nuk do të jetë Afganistani i dytë”, tha Zelensky.

“SHBA-ja do të qëndrojë me Ukrainën, do të mbrojë ukrainasit dhe demokracinë”, shtoi presidenti ukrainas.

Zelensky gjithashtu tha se “amerikanët nuk po e financojnë luftën por po e mbrojnë lirinë dhe demokracinë në të gjithë Evropën”, shkruan skynews.

Duke folur për mënyrën se si do të përdoren paratë, Zelensky shpreson se “ndihma të dërgohet te ushtarët e vijës së parë të fronit sa më shpejt të jetë e mundur”.

“Ne kemi një shans për fitore nëse Ukraina merr sistemin e armëve për të cilin kemi aq shumë nevojë”.

Ndryshe, vendimi i Dhomës së SHBA-së për të miratuar ndihmën u vlerësua edhe nga Sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, David Cameron, i cili e quajti financimin si “hap jetik”.

“Nëse Putini ndonjëherë dyshoi në vendosmërinë e Perëndimit për të mbështetur Ukrainën, kjo tregon se vullneti ynë kolektiv është i paprekur. Me mbështetje, Ukraina mund dhe do të fitojë”, tha Cameron.