Bota

Dështoi skela lundruese prej 320 milionë dollarësh që SHBA ndërtoi për ndihmat në Gaza

Shpërndaje

Skela lundruese e cila u ndërtua nga SHBA-ja për të ofruar ndihmë më të shpejtë humanitare për Rripin e Gazës ku vazhdojnë sulmet izraelite, arriti të qëndrojë funksionale vetëm 11 ditë në jetën e saj 23-ditore, raporton Anadolu.

Skela e përkohshme e cila u ndërtua nga SHBA-ja për rreth 320 milionë dollarë dhe u bë funksionale më 17 maj përjetoi një “fiasko” në jetën e saj 3-javore, ndërsa ndihma humanitare që Gazës i nevojitej urgjentisht u pezullua pas ngjarjeve të ndodhura së fundmi.

Më 25 maj u nda informacioni se 4 anijet që ofronin mbështetje për skelën lundruese të SHBA-së në Gaza u përfshinë nga rrjedha. Thuhet se vetëm një nga këto anije e cila duhej të balanconte strukturën e skelës së përkohshme u shpëtua. Ndërsa tre anijet e mbetura goditën bregun në Izrael.

Edhe pse Departamenti amerikan i Mbrojtjes (Pentagoni) pas këtyre zhvillimeve njoftoi se skela e përkohshme ruajti funksionalitetin e saj, pamjet në mediat sociale treguan se realiteti nuk ishte aspak kështu, duke paraqitur se skela lundruese “po notonte me të vërtetë”.

Pentagoni më pas njoftoi se skela e përkohshme ishte dëmtuar për shkak të kushteve të pafavorshme të motit dhe rritjes së nivelit të detit dhe se skela do të “çmontohej” ndërsa riparimi i saj do të zgjaste më shumë se një javë.

Skela, për të cilën kanë nisur aktivitetet e tërheqjes në portin e Ashdodit në Izrael, do të “rehabilitohet” nga Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM).

Zëdhënësja e Pentagonit, Sabrina Singh në deklaratën e saj më 28 maj tha se “Skela dëshmoi se është e vlefshme në ofrimin e ndihmës për popullin e Gazës. Pas përfundimit të riparimit të skelës, qëllimi ynë është që ta kthejmë strukturën në bregdetin e Gazës. Kështu ndihma humanitare më e nevojshme mund të dorëzohet përsëri nga skela”.

Sipas të dhënave të Pentagonit, që nga fillimi i funksionimit të skelës më 17 maj e deri më tani në Gaza kanë mbërritur më shumë se 1.000 tonë ndihma humanitare.

Skela e përkohshme qëndroi në funksion për gjithsej 11 ditë në jetën e saj 23-ditore.

– Izraeli nuk dëshiron që ndihma humanitare të mbërrijë në Gaza

Sipas ekspertëve, SHBA-ja e cila më parë ka dërguar ndihma humanitare në Gaza nga ajri, hoqi dorë nga kjo për shkak të kostos së lartë dhe kërkoi që ndihmat të transportoheshin nga deti pasi kushton më pak.

Geoffrey Aronson, i cili punon si akademik jorezident në Institutin e Lindjes së Mesme me qendër në Washington në një deklaratë për gazetarin e AA-së tha se Izraeli nuk dëshiron që ndihmat humanitare që mbërrijnë në Gaza të rriten në nivelet e nevojshme.

Lidhur me qëllimin e SHBA-së për ndërtimin e skelës lundruese, Aronson tha se “Qeveria e SHBA-së në vend që të fokusohej në problemet reale të cilat nuk ka arritur t’i bëjë deri më sot, ajo u përpoq të krijonte një simbol që tregonte interesin dhe angazhimin e SHBA-së dhe e cila ka kosto të madhe parash”.

Ai thotë se populli amerikan është i shqetësuar me përfshirjen e drejtpërdrejtë ose të pavetëdijshme në politikën që Izraeli ka projektuar për t’i mbajtur njerëzit në zi buke në Gaza dhe se kjo tashmë është bërë një problem.

Ndërkohë, duke pasur parasysh faktin se lufta nuk do të përfundojë së shpejti, është e qartë se Gaza ka nevojë për ndihmë humanitare më shumë se kurrë në këto ditë kur Rafah është bërë objektiv.