“Fronti Evropian”, Ahmeti: Nis beteja për mbrojtjen e votës
“Fronti Evropian” nis aktivitetin për siç thuhet pengimin e majorizimit të votës së qytetarëve…
“Fronti Evropian” nis aktivitetin për siç thuhet pengimin e majorizimit të votës së qytetarëve, përkatësisht mbrojtjen e legjitimitetit të votës, por edhe Marrëveshjes së Ohrit. Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, duke ftuar qytetarët që t’u bashkëngjiten tha se luftën nuk e bëjnë për pushtet. Ahmeti theksoi se hapat konkretë të kësaj nisme do t’i përcaktojnë pas konsultave dhe analizave me organet partiake të partive brenda Frontit.
“Ne nuk lejojmë që në frymë dhe në germë kjo marrëveshje as të cenohet, as të lëndohet dhe tërësisht të jemi të mobilizuar dhe të organizuar në mbrojtje të legjitimitetit. Jo rastësisht shtrohet pyetja këtu në këtë paraqitje, sepse ne na pyesin njerëzit, përse ne të votojmë dhe dikush vendos mbi vullnetin tonë, mbi përcaktimet tona. Dhe në këtë frymë ne kemi vepruar, si njerëz që kemi fituar legjitimitetin nga sovrani.”, – deklaroi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
Sipas Ahmetit, lënia e “Frontit Evropian” në opozitë vlerësohet si veprim vasal, i cili kthen shoqërinë dy dekada pas, ku komunitetet janë trajtuar si qytetarë të rendit të dytë, duke mos respektuar vullnetin e votës së lirë. Kreu i BDI-së, në betejën për të respektuar votën e qytetarëve, përjashtoi mundësinë e bojkotit eventual të procese politike.
“Nuk bëhet fjalë për bojkot. Ne do të shfrytëzojmë të gjitha mekanizmat demokratike në mbrojtje të legjitimitetit të fituar. Dhe unë mendoj, që ne nga këto zhvillime të reja do të dalim shumë më të fortë se më 8 maj.”, – theksoi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
“Fronti Evropian” përmbylli rezultatin zgjedhor në zgjedhjet parlamentare të 8 majit me 18 mandate, kundrejt koalicionit VLEN me 14 mandate.