KFOR-i hedh poshtë akuzat e ICG-së për përfshirje në ikjen e Radojçiq
KFOR-i ka hedhur poshtë raportin e fundit të Grupit Ndërkombëtar të Krizave mbi një përfshirje të mundshme të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë në negociata për arratisjen e kriminelit Milan Radojçiq në ditën e sulmit terrorist në Banjska të Zveçanit më 24 shtator 2023.
Në raportin “Kosova e Veriut: Pohimi i sovranitetit mes besnikërisë së ndarë” për dhunën në Banjska thuhet se: “Duke pasur frikë nga një gjakderdhje, KFOR-i negocioi tërheqjen e grupit (luftëtarët serbë) në pyjet përreth, nga të cilat ata u zhdukën”.
“Kjo është e pasaktë. Në asnjë moment KFOR-i nuk ishte i përfshirë në negociatat e supozuara. Pasi u thirr për të përforcuar praninë e tij, KFOR-i u koordinua ngushtë me Policinë e Kosovës dhe misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX) për të rivendosur sigurinë në zonë”, thuhet në reagim.
Dhuna që ndodhi në Banjska erdhi pas një sulmi kundër paqeruajtësve të KFOR-it në maj të vitit 2023, i cili rezultoi në plagosjen e 93 personelit të KFOR-it, disa prej të cilëve pësuan lëndime të rënda, shpjegon KFOR-i në një deklaratë për media.
Për më tepër KFOR-i thekson se NATO ka mbajtur gjithmonë qëndrimin se faktet duhet të vërtetohen dhe autorët duhet të përballen me drejtësinë.
“Pas dhunës, NATO ka dislokuar rreth 1000 paqeruajtës shtesë dhe forca të blinduara më të rënda në Kosovë. Ky ka qenë përforcimi më i madh i kontingjentit tonë në Kosovë në një dekadë; dhe kjo tregon se NATO është e gatshme të ruajë paqen”, përfundon reagimi.
The Truth Behind The Myth: What We Know About Bigfoot
ZESTRADAR
KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij për të siguruar një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme. KFOR-i është reaguesi i tretë i sigurisë, pas Policisë së Kosovës dhe EULEX-it.