Koalicioni VMRO-VLEN s’është parimor, “Fronti Evropian do të organizojë protesta”

Shpërndaje

Nga Dini Fetahu

Për shkak të koalicionit në mes të partisë fituese në kampin maqedonas VMRO-DPMNE dhe humbësit në taborin shqiptar, koalicionit “VLEN”, për të krijuar qeverinë e re në Maqedoninë e Veriut, duke anashkaluar kështu parimin fituesi me fituesin, do të bëjë që “Fronti Evropian” – fituesi i zgjedhjeve në kampin shqiptar – të organizojë protesta dhe të shtrojë kërkesa për organizim të parlamentit dydhomësh, kanë paralajmëruar njohësit e zhvillimeve politike atje.

Në zgjedhjet parlamentare në Maqedoni të Veriut më 8 maj, pati dy fitues të qartë: VMRO-DPMNE te maqedonasit, e cila siguroi 58 ulëse në kuvend, dhe “Fronti Evropian” te shqiptarët që fitoi 18 deputetë, 4 më shumë se koalicioni “VLEN”, apo mbi 30 mijë vota më shumë.

Por, përkundër kësaj, VMRO-ja ka anashkaluar “Frontin Evropian”, dhe ka përzgjedhur “VLEN”-in për të bashkëqeverisur, derisa Ali Ahmeti, lideri i frontit, ka kritikuar këtë marrëveshje, pasi që ka pyetur se “çfarë kuptimi kanë zgjedhjet nëse maqedonasit përcaktojnë se kush i përfaqëson shqiptarët?”, derisa i ka premtuar të gjithë ata që e kanë votuar se voat e tyre “s’do të shkojë huq”.

Duke komentuar këto zhvillime, gazetari shqiptar nga Maqedonia e Veriut, Xhenur Iseni, në një bisedë për “Albanian Post”, duke u thirrur në burime të tij, ka parlajmëruar se pasi që VMRO-ja e ka shmangur “Frontin Evropian”, ky i fundit do të organizojë protesta.

“‘Fronti Evropian’, i cili thirret në legjitimitetin e votës shqiptare, ka paralajmëruar hapa të mëtutjeshëm radikalë. Nga zërat që vijnë ende jo zyrtare, Fronti Evropian planifikon të organizojë protesta dhe të shtrojë kërkesa për organizim të parlamentit dydhomësh”, ka thënë Iseni për AP.

Xhenur Iseni
Por, ndryshe nga Iseni, për veprimet e koalicionit që udhëhiqet nga lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, i ka pritjet Profesori i Historisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, Nuri Bexheti.

Në një prononcim për AP, Bexheti ka theksuar se ai ka pritje që Fronti si opozitë të jetë konstruktiv.

“Pres nga ‘Fronti Evropian’ që të bëjë një opozitarizëm konstruktiv, të fokusohet në temat esenciale, duhet vazhdimisht ta mbajë temën kryesore që është hapja e kushtetutës, për ta mbyllur kështu ngërçin me Bullgarinë dhe t’i jap mbështetje qeverisë nëse ajo do të bëjë përpjekje për të reformuar sistemin e drejtësisë”, potencoi Bexheti për AP.

Njohësit e zhvillimeve politike në Maqedoni të Veriut, janë të ndarë edhe sa i përket aspektit parimor të koalicionit në mes të “VLEN”-it dhe VMRO-së.

“Duke u nisur nga fakti që të dy blloqet i takojnë krahut të djathtë politik mund të themi se në pikën e parë koalicioni është parimor. Pasi që edhe harmonizimi i programeve politike për qeverisje ka qenë më i lehtë mes partnerëve të koalicionit”, mendon Iseni.

“Koalicioni nuk është parimor, por rregullat kushtetuese e lejojnë një gjë të tillë”, thekson nga na tjetër Bexheti, i cili edhe ripërësrit rezultatet e zgjedhjeve të cilat flasin për një fitore të “Frontit Evropian” në taborin shqiptar.

E gjithë ky konfiguracion i ri politik që po krijohet në Maqedoni të Veriut, sipas historianit, është hakmarrje e partisë nacionaliste maqedonase, VMRO-DMPNE, ndaj Ali Ahmetit, përkatësisht partisë që drejton, BDI-së.

“Parimi i fituesit me fituesin është thyer, sepse VMRO-ja po hakmerret, është hakmarrja e qartë… nuk e fal ‘Frontin Evropian’ – lokomotivë e të cilit është BDI-ja – i cili në 8 vitet e fundit e ka mbajtur VMRO-në në opozitë”, deklaron ai, derisa përmend edhe faktin se tërë fushatën zgjedhore, VMRO-ja e kishte reduktuar në sulme ndaj Ahmetit dhe BDI-së.

Nuri Bexheti
“VMRO-ja ka luajtur me kartën nacionaliste dhe populiste dhe ka pasur dy pika të platformës së saj: e para – një dozë të lartë anti-BDI dhe kundër ndryshimeve kushtetuese, për futjen e bullgarëve në preambulën e kushtetutës. Kjo pra ka qenë fryma me të cilën kanë fituar zgjedhjet”, pohon.

Si rezultat i marrëveshjes politike në mes të VMRO-së dhe “VLEN”-it, Afrim Gashi, njëri nga liderët e koalicionit të partive opozitare shqiptare, u zgjodh Kryetar i Parlamentit të Maqedonisë së Veriut, duke u bërë kështu shqiptari i dytë, pas Talat Xhaferit, që udhëheqë me këtë institucion.

“Zgjedhja e Afrim Gashit për kryeparlamentar, tregon për një Pazar të jashtëzakonshëm për VLEN, sepse më lehtë është që këtë post të ia marrish LSDM-së sesa VMRO-DPMNE-së duke patur parasysh edhe fuqinë politike në numra që ka partia e Mickosk-it”, konsideron Iseni.

Por, zgjedhja e Gashit, sipas tij, nuk është meritë ekskluzive e “VLEN”-it.

“Por ky ‘deal’ për këtë post, ka pak meritë edhe Ali Ahmeti, sepse në të kaluarën vendosi një standard të ri politik që njëri nga 3 postet kyçe në shtet të iu takojë shqiptarëve”, potencon.

Ndryshe, në zgjedhjet parlamentare në Maqedoni të Veriut, sa i përket kampit shqiptar, fitues me mbi 30 mijë vota doli “Fronti Evropian”, i cili numëron 18 deputetë, apo 4 më shumë seç fitoi koalicioni i partive opozitare shqiptare “VLEN”, të cilët morën 14 ulëse në kuvend.

Ndërsa, te kampi maqedonas, fitues absolut është partia nacionaliste VMRO-DPMNE, e cila siguroi plotë 58 ulëse në parlamentin e Maqedonisë së Veriut nga 120 sa i ka gjithsejtë, derisa LSDM-ja, partia që deri më tani kishte pushtetin mori vetëm 18 deputetë – rezultatin më të dobët në histori të saj.

Ulëse në kuvendin maqedonas kanë fituar edhe dy parti të tjera maqedonase. Nga 5 sosh i kanë marrë e majta ekstrem “Levica”, dhe Lëvizja “ZNAM”.

Përkundër se në kampin fitues është “Fronti Evropian”, VMRO-DPMNE-ja, si fituese në taborin maqedonas është duke e anashkaluar parimin e fituesit me fituesin (te shqiptarët dhe maqedonasit), duke bërë kështu koalicion me “VLEN”-in.