Kryeministri Kurti u mirëprit nga Ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Hakan Fidan

Shpërndaje

Krahas takimit dhe drekës së punës me Presidentin e Turqisë, Erdogan, bashkë me zëvendëspresidentin e Turqisë, Cevdet Yilmaz dhe ministrin e Mbrojtjes, Yaşar Güler, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, u mirëprit gjithashtu edhe nga ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Hakan Fidan.

Ky ishte takimi i parë ndërmjet tyre prej se Fidan ka marrë detyrën e ministrit të Punëve të Jashtme. Ata diskutuan rreth fuqizimit të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve tona, me fokus të veçantë në realizimin e projekteve të përbashkëta në fushën e ekonomisë, rritjes së shkëmbimit tregtar por edhe mbështetjes së Turqisë në fushën e sigurisë, mbrojtjes dhe integrimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Kryeministri e falënderoi ministrin Fidan për qëndrimin e tij mbështetës për Kosovën në Komitetin e Ministrave të Këshillit të Evropës.

Duke shprehur mirënjohjen për marrëdhëniet bilaterale dhe për mikpritjen sot, kryeministri nënvizoi rolin dhe kontributin e rëndësishëm të Turqisë për rajonin si dhe për paqen e sigurinë në Kosovë përmes kontributit të saj në misionin e NATO-s, KFOR.