MaqedoniTop Lajme

Marrëveshja VMRO-VLEN drejt finalizimit / Kryeparlamentari, 3 zv.kryeministra, 4 ministra, 7 zv.ministra për VLEN?

Shpërndaje

VLEN dhe VMRO-DPMNE po i vazhdojnë negociatat drejt marrëveshjes finale për bashkëqeverisje, dhe me shumë mundësi edhe resorët tani më janë qartësuar se kush me cilën ministri do të udhëheqë.
Timço Mucunski nga VMRO-DPMNE, në një intervistë për TV Sitel, konfirmoi se shumica parlamentare do të numërojë mbi 70 deputetë, por ekziston mundësia që të arrijë deri në 80. Thotë se marrëveshja për bashkëqeverisje me VLENin është drejt finalizimit dhe shumë shpejtë do të bëhet publike.

“Do të formojmë qeveri reformuese me opozitën shqiptare. Jemi shumë afër marrëveshjes, ende nuk është arritur marrëveshja finale. Për këtë shkak dua të jem i kujdesshëm për të brifuar në opinion për atë çfarë është dakorduar sepse ende nuk ka marrëveshje përfundimtare. Por e konfirmoj, po jemi shumë afër një marrëveshjeje përfundimtare me koalicionin VLEN”, u shpreh Timço Mucunski – Nënkryetar i VMRO-DPMNE-së.

Ndërkohë Arben Taravari nga koalicioni VLEN njofton se marrëveshja do të publikohet shumë shpejtë ndërsa i tregoi edhe resoret me të cilat do të udhëheqë partia e tij, Aleanca për Shqiptarët.

“Aleanca do të ketë dy ministri. Në zv.kryeministër për qeverisje të mirë dhe transparencë dhe ministrinë e shëndetësisë dhe dy zv.ministra dhe dy sekretarët shtetërorë. Zv.ministër për mbrojtje dhe zv.ministër për bujqësi. Sekretar shtetëror me sa e di në shëndetësi dhe nuk më kujtohet dhe njëra tamam mos e them gabimisht”, tha Arben Taravari.

Bashkë me resoret e lartëpërmendura nga ana e Taravarit, VLEN gjithsej pritet të udhëheqë me tre zv.kryeministra, katër ministri dhe shtatë zv.ministra. Lëvizja Demokratike pritet të marrë zvkryeministrin e parë, Ministrinë e Ekologjisë, zv.ministër të brendshëm dhe zv.ministër të transportit. Lëvizja Besa pritet të udhëheqë me Ministrinë e Ekonomisë, me Ministrinë për Politikë Sociale dhe një zëvendës ministër të kulturës. Alternativa ndërkohë pritet ta marrë zv.kryeministrin për eurointegrime si dhe njëri prej deputetëve të kësaj partie të udhëheqë me Kuvendin. Emri më i përfolur deri tani është kryetari i Alternativës, Afrim Gashi.