BotaTop Lajme

Mijëra njerëz dalin në rrugë në disa qytete evropiane, kërkojnë t’i jepet fund gjenocidit në Gaza

Shpërndaje

Mijëra njerëz në disa qytete evropianë gjatë ditës së djeshme kanë dalë në rrugë për të shënuar Ditën e Nakba-s (Katastrofën e Madhe) dhe për të protestuar kundër sulmeve të pamëshirshme vdekjeprurëse të Izraelit në Rripin e Gazës, raporton Anadolu.

Në kryeqytetin austriak Vjenë, mijëra njerëz u mblodhën në Sheshin Kulturor, duke mbajtur flamuj palestinezë dhe pankarta me slogane “Jo gjenocidit”, “Izraeli është një terrorist” dhe “Gaza e lirë”.

Mbështetësit e Palestinës, që marshonin në rrugë, u paralajmëruan se sloganet si “Intifada” dhe “Palestina e lirë nga lumi në det” nuk duhet të thirren ose përndryshe tubimi nuk do të lejohej të vazhdonte.

Në Barcelonë të Spanjës u mbajt një demonstratë duke simbolizuar viktimat e luftës në Gaza duke u shtrirë masivisht përgjatë bulevardit ‘Passeig de Gracia’. Rreth 10 mijë njerëz, sipas organizatorëve, demonstruan në qendër të qytetit në mbështetje të Palestinës dhe kundër Izraelit.

Duke shpalosur një flamur të madh palestinez horizontalisht, ata brohorisnin “Nga lumi në det, Palestina do të jetë e lirë”. Pankarta kryesore mbante mesazhin “Ndal gjenocidit në Palestinë. Jo më tregti armësh me Izraelin”.

Në Itali, në qytete të ndryshme u organizuan protesta kundër sulmeve të Izraelit ndaj Gazës. Sipas agjencisë italiane të lajmeve ANSA, në qytetin verior Torinos nga mbështetësit e Palestinës u organizua një marsh nën moton “Torino për Gazën”.

Gjatë marshimit, disa demonstrues dogjën flamujt e Bashkimit Evropian (BE) dhe NATO-s.

Disa restorante të zinxhirit të ushqimit të shpejtë përgjatë rrugës së marshimit gjithashtu u akuzuan si “bashkëpunëtorë të Izraelit” dhe u hodhën bojë në dritaret e tyre.

Në kryeqytetin Dublin në Irlandë, demonstratat pro-Palestinës vazhduan gjatë gjithë ditës.

Organizuar nga Fushata e Solidaritetit të Palestinës në Irlandë, një protestë e madhe në Parkun e Kujtesës u ndoq nga shumë shoqata, përfaqësues të partive politike dhe qindra njerëz.

Duke mbajtur flamuj palestinez dhe irlandez, demonstruesit marshuan në rrugën Kildare, duke kërkuar një armëpushim në Gaza.

Po ashtu në Gjenevë të Zvicrës mijëra njerëz marshuan sërish në rrugë, duke kërkuar t’i jepet fund “gjenocidit në Gaza”. Mbi 10 mijë njerëz u tubuan në Place Lise Girardin dhe marshuan nëpër qendrën e qytetit për orë të tëra.

Demonstruesit bënë thirrje për një bojkot të furnizimeve ekonomike dhe ushtarake për Izraelin dhe u kërkuan universiteteve të ndërpresin lidhjet me institucionet izraelite.

Në Paris të Francës gjithashtu mijëra njerëz dolën në rrugët e kryeqytetit për të shënuar 75-vjetorin e Nakba-s, si dhe bënë thirrje për t’i dhënë fund luftës së Izraelit në Gaza.

Protestuesit synonin të tërheqin vëmendjen ndaj asaj që ata e përshkruan si “projekti i vendbanimeve koloniale” i Izraelit, i cili sipas tyre copëton komunitetet palestineze sipas gjeografisë dhe statusit ligjor, rrënjos diskriminimin sistematik dhe përjetëson një regjim kontrolli mbi jetët palestineze.

Izraeli vazhdon ofensivën brutale në Gaza pavarësisht një rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që kërkon një armëpushim të menjëhershëm. Pothuajse 35.400 palestinezë janë vrarë, kryesisht gra dhe fëmijë, si dhe mbi 79.300 të tjerë janë plagosur që nga tetori i vitit të kaluar pas një sulmi nga Hamasi.
Më shumë se shtatë muaj pas luftës izraelite, zona të gjera të Gazës janë kthyer në rrënoja mes një bllokade gjymtuese të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.

Izraeli akuzohet për “gjenocid” në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila ka urdhëruar Tel Avivin të sigurojë që forcat e tij të mos kryejnë akte gjenocidi, si dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza.