Mitsotakis: Shkupi dhe Tirana vetëm mund të përfitojnë me raportet e mira me Athinën!
Athina zyrtare vazhdon të dërgojë mesazhe paralajmëruese për Shkupin. Mesazhi i fundit sërish mbërrinë nga Kryeministri grek, Kirjakos Micotakis.
Ai gjatë një interviste për gazetën greke “Real Njuz” krahas Shkupit, mesazhe paralajmëruese i dërgoi edhe Tiranës.
“Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria vetëm mund të fitojnë nëse kanë raporte të mira me Greqinë. Në të kundërtën, rruga evropiane e dy vendeve kalon nëpër Athinë dhe këtu mund të përballen me probleme”, tha Kirjakos Micotakis.
Në këtë intervistë, Kryeministri grek është zotuar se nuk do t`i miratojë memorandumet e bashkëpunimit RMV-Greqi duke I bërë thirrje Qeverisë së re të vendit që ta respektojë ligjin ndërkombëtar dhe nënshkrimin e marrëveshjeve.
“Veprimet e jashtëligjshme të Shkupit lidhur me emrin e vendit dalin edhe nga fakti se Marrëveshja e Prespës ishte marrëveshje e keqe. Paralajmërova në Parlament se është problematike për interesat greke, duke u dhënë kombësi dhe gjuhë fqinjve. Që atëherë, kur votuam kundër, potencova se do ta kemi para nesh. Por, pasi u votua duhet ta zbatojmë”, tha Kirjakos Micotakis.
Lidhur me raportet Shkup – Athinë dhe Marrëveshjen e Prespës është prononcuar edhe Ministri I Jashtëm grek, Jorgos Gerapetritis.
Ai gjatë një interviste për televizionin grek “Skaj” është zotuar se Athina do ta respektojë “Prespën”, pasi bëhet fjalë për marrëveshje të ratifikuar.
Shefi I diplomacisë greke ka theksuar se Marrëveshja e Prespës nuk mund të shfuqizohet apo të ndryshohet me veprim të njëanshëm, duke bërë thirrje që Shkupi ta zbatojë në mënyrë dinjitoze.