Ndryshimet kushtetuese, “nyje” në bisedimet mes VMRO-së dhe VLEN-it
VMRO DPMNE-ja dhe koalicioni i opozitës shqiptare VLEN kanë njoftuar për takime lidhur harmonizimin e qëndrimeve për Qeverinë e re, por detaje nuk japin asnjëra palë, përveç asaj që tashmë është bërë e ditur se shtyllat e saj bazohen në integrimin evropian, zhvillimin ekonomik, sundimin e ligjit, si dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Përfaqësues të të dyja blloqeve kanë thënë për Radion Evropa e Lirë se për ndarjen e ministrive do të bisedojnë pasi të bien dakord çështjet programore, apo temat më të ndjeshme, në veçanti ato që kanë të bëjnë me integrimin.
Kryetari i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickoski, që pritet të marrë mandatin për formimin e Qeverisë së re, ka paralajmëruar një riorganizim të ministrive, në veçanti të Ekonomisë, Punës dhe Politikës Sociale dhe Arsimit.
Për luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe për sundimin e ligjit, VMRO dhe koalicioni VLEN nuk kanë dallime.
Sa i përket integrimit evropian që pritet të jetë ndër shtyllat kryesore të punës së Qeverisë së re, partitë dallojnë në qëndrime lidhur me ndryshimet kushtetuese, që janë kusht për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit në BE.
Ndryshimet duhet të bëhen me qëllim përfshirjen e pakicës bullgare në preambulën e Kushtetutës, si popull shtetformues, bazuar në marrëveshjen e arritur me Bullgarinë.
VMRO-DPMNE në fushatën zgjedhore është deklaruar kundër ndryshimit të Kushtetutës “nën diktatin bullgar”, ndërsa koalicioni VLEN, thotë se “është garantues se ndryshimet kushtetuese do të ndodhin”.
Partia e Mickoskit, zgjidhjen e këtij problemi e sheh te miratimi i ndryshimeve kushtetuese, ndërsa zbatimin e tyre vetëm pasi vendi të jetë pranë anëtarësimit në BE, apo pasi të kenë përfunduar bisedimet.
“Zbatimi me vonesë i ndryshimeve kushtetuese është një alternativë që është plotësisht në përputhje me praktikën e mëparshme të të gjitha shteteve, të cilat para aktit të anëtarësimit të tyre të plotë në BE, zakonisht bëjnë ndryshimet kushtetuese të nevojshme ose të kushtëzuara”, thuhet në programin e VMRO DPMNE-së.
Koalicioni VLEN beson se ndryshimet kushtetuese do të bëhet brenda një periudhë prej 6 deri 9 maj, apo pas zgjedhjeve për Parlamentin Evropian, si dhe atyre në Bullgari që të ketë atje një qeveri të qëndrueshme me të cilën shpreson të bisedohet për ndonjë kompromis të ri.
“Rruga evropiane e Maqedonisë së Veriut do të thotë që të ndryshohet Kushtetuta, të bëhen ndryshime të caktuara kushtetuese. Ne të gjithë e dimë se korniza e bisedimeve vështirë se do të mund të ndryshohet. Do të bisedojmë edhe një herë për këtë çështje, sepse në qershor kemi zgjedhje në Bullgari, për të parë nëse do të kemi një qeveri të qëndrueshme në Bullgari, gjë që është shumë e rëndësishme për të ardhmen evropiane”, ka deklaruar Arben Taravari, një nga drejtuesit e koalicionit VLEN.
Ai pret mbështetjeje edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian nëpërmjet të dërguarve të tyre, që procesi i integrimit të zhbllokohet dhe me këtë të hapet perspektiva evropiane e vendit.
SHBA-ja, pas betimit të presidentes së re, Gordana Silanovska-Davkova, më 13 maj doli me një komunikatë ku inkurajoi vazhdimin e dialogut ndërmjet Shkupit dhe Sofjes.
“Ne inkurajojmë vazhdimin e dialogut ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, në kuadër të angazhimeve të përbashkëta për anëtarësimin e ardhshëm të plotë të Maqedonisë së Veriut në BE”, thuhet në komunikatën e Departamentit të Shtetit.
Edhe Bashkimi Evropian ka thënë se Qeveria e re maqedonase duhet të mbetet e përkushtuar në integrimin evropian dhe përmbushjen e detyrimeve që dalin nga marrëveshjet bilateriale./REL