OKB pritet të votojë mbi një rezolutë që u jep palestinezëve më shumë të drejta
Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara pritet të votojë sot për një rezolutë që do t’u jepte palestinezëve “më shumë të drejta dhe privilegje” dhe në të cilën bëhet thirrje që Këshilli i Sigurmit të rishqyrtojë në mënyrë të favorshme kërkesën e Autoritetit Palestinez për të qenë anëtari i 194 i Kombeve të Bashkuara.
Në 18 prill, Shtetet e Bashkuara i vunë veton një projektrezolute në Këshillin e Sigurimit, të mbështetur gjerësisht, që do t’i kishte hapur udhë anëtarësimit me të drejta të plotë të Autoritetit Palestinez në Kombet e Bashkuara, një synim të kahershëm të palestinezëve që Izraeli është përpjekur ta pengojë.
Zëvendës ambasadori amerikan në OKB Robert Wood e bëri të qartë të enjten se administrata e zotit Biden është kundër rezolutës së Asamblesë.
“Kemi qenë shumë të qartë që në fillim se rruga për të bërë të mundur anëtarësimin e plotë të Autoritetit Palestinez në Kombet e Bashkuara është përmes negociatave me Izraelin.
Ky vazhdon të jetë qëndrimi ynë”, tha ai.Sipas Kartës së Kombeve të Bashkuara, vendet që synojnë anëtarësimin duhet të “jenë të angazhuara për paqe” dhe Këshilli i Sigurimit duhet t’ia rekomandojë pranimin e tyre Asamblesë së Përgjithshme e cila bën miratimin përfundimtar.
Territoret palestineze morën statusin e shtet vëzhgues, jo-anëtar të OKB-së, në vitin 2012./VOA