Bota

Paris, protestë kundër sulmit të Izraelit ndaj kampit të palestinezëve në Rafah

Shpërndaje

Demonstruesit në kryeqytetin e Francës, Paris, reaguan ndaj sulmit të ushtrisë izraelite ndaj kampit të palestinezëve të zhvendosur me forcë në qytetin Rafah, raporton Anadolu.

Mbështetësit palestinezë u mblodhën në sheshin Saint-Augustin në Paris dhe kërkuan armëpushim të menjëhershëm në Gaza, ku vazhdojnë sulmet izraelite.

Protestuesit që reaguan kundër bombardimeve të Izraelit ndaj kampit të palestinezëve të zhvendosur me forcë në Rafah, brohoritën slogane të tilla si “Izraeli është vrasës, (presidenti francez Emmanuel) Macron është bashkëpunëtor”, “Shporru Izrael, Palestina nuk të përket ty” dhe “Rroftë Palestina”.

Protestuesit mbajtën në duar flamuj palestinezë dhe pankarta me mbishkrimin “Përshëndetje (kryeministri izraelit Benjamin) Netanyahu, Gjykata Ndërkombëtare Penale ju ka caktuar takim”.

Ekipet e policisë që u vendosën në pika të ndryshme daljeje të sheshit Saint-Augustin, nuk i lejuan protestuesit të largoheshin nga sheshi për rreth 1.5 orë. Protestuesit të cilët u bllokuan nga policia, nuk mundën të ecnin deri në Ambasadën e Izraelit në Paris, që ishte drejtimi i tyre i përcaktuar më parë.

Më pas protestuesit zgjodhën një drejtim tjetër dhe pranë stacionit të trenit Saint-Lazare mbajtën një minutë heshtje për palestinezët që humbën jetën në sulmet e Izraelit në Gaza. Disa nga protestuesit të cilët në të njëjtën zonë mbajtën protestë duke u ulur, u ngjitën në një skelë ndërtimi kundër një ndërtese dhe valëvitën flamujt palestinezë.

Gjatë marshimit ku morën pjesë mijëra njerëz policia ndërhyri disa herë me gaz lotsjellës kundër protestuesve.

Protestuesit kaluan pranë dyqaneve ushqimore dhe zinxhirëve ndërkombëtarë të ushqimit të shpejtë (fast food) që mbështesin Izraelin dhe brohoritën kundër këtyre bizneseve. Protestuesit lanë gjurmët e duarve me bojë të kuqe në fasadat e bizneseve në fjalë.

Poashtu edhe në muret e ndërtesave të ndryshme në rrugët Parisit u shkruan në gjuhën arabe dhe anglisht shkrime të tilla si “Palestina e lirë”. Protestuesit përfunduan demonstrimin e tyre duke u shpërndarë në formë grupesh nëpër rrugë të ndryshme.

Të paktën 40 palestinezë u vranë në sulmin që Izraeli kreu dje duke bombarduar tendat e palestinezëve të zhvendosur në qytetin Rafah në Rripin e Gazës për të cilën GJND-ja ka vendosur për ndalimin e sulmeve.

Dëshmitarët kanë thënë se “Bombardimet e ushtrisë izraelite kanë shkaktuar shkatërrimin dhe djegien e shumë tendave në kamp. Ky kamp në qytetin Rafah, ku jetojnë mijëra palestinezë të zhvendosur, nuk ndodhet në zonën që ushtria izraelite kërkon të evakuohet”.

Dëshmitarët thanë se avionët luftarakë izraelitë kanë sulmuar kampin me të paktën tetë raketa.