RajoniTop Lajme

Pas liberalizimit të vizave, turistët nga Kosova braktisin bregdetin e Durrësit

Shpërndaje

Liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës ka sjellë ndikimin e parë në frekuentimin e bregdetit të Durrësit.Dikur pushuesit më besnikë, sot shqiptarët e Kosovës e kanë kaluar atë në plan të dytë, si një destinacion për pushimet e tyre verore.

“Ky vit ka filluar ndryshe. Mund ta quajmë një fillim të mbarë, sepse ka filluar shumë herët, pra që nga fundi i marsit në fillim të prillit kanë filluar rezervimet e para me turistë të huaj nga grupe të organizuara gjermanësh e nordikësh, të cilët po e shohin Shqipërinë si një destinacion të ri dhe shumë interesant, por ndryshimi është që ka një mungesë të turistëve kosovarë, të cilët ishin turistët besnikë tanët, që na kanë suportuar në çdo periudhë të vështirë. Kjo ka ndodhur direkt pas hapjes së vizave, pra turistët kosovarë kanë preferuar të eksplorojnë pak Europën dhe kanë lënë në njëfarë mënyre pas dore Shqipërinë. Kjo është ndjerë shumë nëpër hotelet e Durrësit, që mbushnin fundjavat e tyre me turistët nga Kosova”, thotë Blerim Norja, operator turistik.

Sipas tur-operatorëve, vakumi i krijuar është mbushur me turistët e huaj, që këtë fillim-sezoni kanë qenë të shumtë në qytetin bregdetar.
“Mund të themi se është zëvendësuar me rritjen e turistëve nga shtetësi të huaj, nga të cilët pjesa më e madhe janë gjermanë dhe norvegjezë”, shprehet Norja.Turistët e parë të këtij sezoni janë kryesisht turistë që vijnë të organizuar në grupe me paketa të mbyllura, por një rritje të shpejtë po sheh edhe numri i turistëve elitarë, të cilët vijnë në grupe të vogla individuale a familjare./Euronews Albania