Prokurori i GJNP-së kërkon urdhërarrest për Netanyahun e liderët e Hamasit

Shpërndaje

Prokurori i Gjykatës Ndërkombëtare Penale, Karim Khan, tha të hënën se ka kërkuar urdhër arresti për liderët e Hamasit dhe për kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu, për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, në lidhje me sulmin e 7 tetorit dhe luftën në Gaza.

Në një deklaratë për media, Khan tha se ai ka paraqitur urdhër arresti për Yahya Sinwar, Muhammad Deif dhe Ismail Haniyeh të Hamasit. Ai gjithashtu tha se po kërkonte urdhër arresti edhe për Netanyahun dhe për ministrin e mbrojtjes së Izraelit, Yoav Gallant.

Edhe pse kërkesa e prokurorit Khan duhet ende të miratohet nga gjyqtarët e gjykatës, njoftimi është një goditje për qeverinë e Netanyahut dhe ka të ngjarë të rrisë kritikën ndërkombëtare ndaj strategjisë së Izraelit në fushatën shtatë-mujore kundër Hamasit dhe dëmit ndaj popullsisë civile të Gazës.

Tash për tash nuk ka reagim të menjëhershëm nga qeveria izraelite apo nga Hamasi. Izraeli nuk është anëtar i gjykatës dhe nuk e njeh juridiksionin e saj në Izrael apo Gaza. Por nëse urdhrat lëshohen, atëherë ata mund të arrestohen nëse udhëtojnë në një nga 124 shtetet anëtare të gjykatës, të cilat përfshijnë shumicën e vendeve evropiane, por jo edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.