Stadiumi i Tetovës përplas Qeverinë me Komunën
Përplasjet mes pushtetit qendror dhe atij lokal në asnjë mënyrë nuk duhet të bllokojë procesin e ndërtimit të stadiumit të ri në Tetovë, thonë disa qytetarë dhe sportistë.
Stadiumi i Tetovës është ndërtuar më se 40 vjet më herët, në vitin 1981.
Fatih Huseini, trajner për futbollistët e rinj në Klubin Shkëndija, thotë se stadiumi i Tetovës nuk është vetëm në funksion të këtij klubi, prej nga kanë dalë shumë lojtarë që përfaqësojnë kombëtaren e Maqedonisë së Veriut, por është një fushë sporti që hap perspektivë për të rinjtë nga rajoni i Pollogut (Tetova Gostivari, Tearca, Zhelina etj).
“Nga ajo kohë, pra nga viti 1980-1981, kanë kaluar tashmë 44 vjet dhe në stadiumin e Tetovës asgjë nuk është rinovuar”, thotë Huseini.
Ai shprehet i zhgënjyer nga qeveritë dhe pushteti vendor që deri më tani nuk arritën të ndërtojnë një stadium modern për Tetovën.
“Ne, si Tetovë, kemi pasur dhe kemi fëmijë shumë të talentuar në futboll, ndërkohë na mungon një stadium modern”, thekson për Radion Evropa e Lirë Huseini.
Ai e konsideron të turpshëm faktin që klubi Shkëndija, që dy herë ka fituar kupën e artë dhe për katër herë ka dalë kampione në Ligën e Parë të futbollit, të stërvitet në një terren joadekuat dhe të jetë e detyruar që ndeshjet e futbollit t’i realizojë në terrenet e huaja.
“Jemi të detyruar që shumë ndeshje ndërkombëtare, në mungesë të kushteve, t’i realizojmë në Strumicë apo Shkup”, thotë Huseini.
Ndërkaq, Gjorgji Strezovski sjell ndërmend kohën e ndërtimit të stadiumit, ku kishte marrë pjesë edhe babai i tij me punë vullnetare, si i punësuar në një kompani.
Ai tregon për Radion Evropa e Lirë se të gjithë qytetarët, në forma të ndryshme, kanë kontribuar që qyteti i Tetovës të ketë një stadium modern dhe në funksion të qytetarëve.
Për të është e dhimbshme që ky objekt, pas 44 vjetëve, ndodhet në një gjendje të mjerueshme.
Përreth tij ka mbeturina, biznese ilegale nuk mund të kalohet andej.
“Unë shumë rrallë kam qenë në stadium po djali 8-vjeçar ka dëshirë që t’i ndjekë lojërat nga stadiumi. Shkupi është larg për ne tetovarët, po të kishim stadium këtu, do të qe më lehtë. Mendoj se stadiumi i ri duhet ndërtuar. Pasi kështu siç është, me vite i paprekur, është duke u rrënuar. Me rëndësi është të kemi një stadium të ri”, thotë Srezovski.
Stadiumi i futbollit në Tetovë është i dyti më i madhi në Maqedoninë e Veriut, me kapacitet rreth 20 mijë shikues. Stadiumi ka katër tribuna, njëra prej të cilave aktualisht jashtë funksionit, për shkak të rikonstruksionit.
Ky stadium, në vitin 2015 me vendim të Qeverisë i është dhënë në shfrytëzim të përhershëm pa kompensim Komunës së Tetovës.
Më 18 mars 2024, Komuna e Tetovës përmes NP “Transport Tetovë”, ka lidhur marrëveshje me kompaninë “E – Properties” për ndërtimin dhe rindërtimin e stadiumit të qytetit, qendrës sportive dhe fushës së futbollit. Vlera e kontratës është 11.5 milionë euro dhe e ka fituar një kompani në pronësi të “Ecolog International”.
Qeveria e Maqedonisë së Veriut, në mbledhjen e mbajtur më 21 maj ka bërë të ditur se ka kërkuar nga Gjykata Kushtetuese mendim për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së procedurave në lidhje me ndërtimin e stadiumit të ri të Tetovës.
“Sekretariati i Përgjithshëm i Qeverisë duhet të përgatisë informacione të plota lidhur me statusin e stadiumit të ri të futbollit – Tetovë. Ndërkohë, t’i dërgohet një udhëzim Komunës së Tetovës, që të ndërpriten punimet në terren, derisa të ketë zgjidhje ligjore të rastit”.
“Gjithashtu, Qeveria vendosi t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese me rekomandim, për të marrë parasysh urgjencën e këtij rasti dhe të deklarohet për Iniciativën e paraqitur për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së veprimit në të”, thuhet në vendimin e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut.
Por, ndaj qëndrimit të Qeverisë ka reaguar kryetari i komunës së Tetovës, Bilall Kasami.
Ai ka thënë se në asnjë mënyrë nuk do t’i ndërpresë punimet për ndërtimin e stadiumit ë tri në Tetovë.
“Pas shkatërrimit 8-vjeçar që ua bënë tetovarëve, Qeveria në ikje vazhdon edhe më tej të dëmtojë Tetovën dhe qytetarët e saj. Këtë herë duke sjell vendim për ndërprerjen e punimeve në stadiumin e qytetit të Tetovës… Stadiumi do të bëhet”, ka shkruar Kasami në një postim në Facebook./REL/