Maqedoni

Taravari për RTK: Shqiptarët do të kenë kryeparlamentarin dhe 6 ministri

Shpërndaje

Në Qeverinë e re të Maqedonisë së Veriut, shqiptarët do të udhëheqin me gjashtë ministri dhe me kryetarin e Kuvendit, bëri të ditur në RTK, Arben Taravari nga koalicioni VLEN.

“Besoj që njërën prej tre funksioneve kryesore të shtetit, respektivisht kryetari i parlamentit do të vazhdoj të jetë shqiptar dhe numër i konsiderueshëm i ministrave, posaçërisht aty ku kemi ekspert ne si parti të VLEN-it do t’i vendosim. Besoj se përfaqësimi aty do jetë i dinjitoz, me njerëz profesionist”, tha ai.

Taravari tha se konstituimi i Kuvendit do të bëhet në fund të këtij muaji, kurse Qeveria e re pritet të votohet në pjesën e parë të muajt qershor.

“Konstituimi i Kuvendit është planifikuar të bëhet diku ka fundi i këtij muaji, muajit maj, dhe ne ndërkohë ka fundi i javës së ardhshme do t’i kemi edhe zgjedhjet kadrovike dhe programin qeveritar. Pasi të konstituohet Parlamenti duhet që presidentja e shtetit t’i jep mandatin mandatarit të ardhshëm. Në gjysmën e parë të qershorit sigurisht do ta kemi Qeverinë e re”, tha ai.

Partnerët e koalicionit ,sipas Taravarit, janë pajtuar që prioritet i Qeverisë së re të jetë rruga drejt Bashkimit Evropian, lufta pa kompromis ndaj krimit dhe korrupsionit dhe funksionimi i shtetit të së drejtës.