Ahmeti mesazh VLEN-it: E keqja na ka ardhur nga shqiptarë të dobët e të papërgatitur

Shpërndaje

Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti u dërgoi mesazh koalicionit VLEN që siç tha, nëse nuk kanë mësuar nga historia duhet ta mësojnë pasi sipas tij, historikisht e keqja ka ardhur nga shqiptar të dobët e të pa përgatitur, përcjell TV21.

“Me keqardhje po e përsëris edhe një herë për ca parti politike të bashkuara që kanë hyrë në partneritet me VMRO-DPMNE-në, nëse nuk kanë mësuar nga historia le të mësojnë pak se historikisht nga shqiptarë të dobët e të pa përgatitur e keqja na ka ardhur, në konferenca të mëdha ndërkombëtare e deri më copëtimin e tokave shqiptare dhe nuk do të kisha dëshiruar që kjo keqe të ma përsëritet, nuk kisha dëshiruar që këtë të keqe ta instalojnë dikur edhe bashkë partiakët tanë apo edhe kolegë me parti të tjera me të cilat kemi komunikuar për çështje të ndjeshme dhe strategjike që kanë pasur të bëjë me shtetin”, tha Ali Ahmeti.

Postimi i plotë:

Të dashur qytetarë,
Bashkimi Demokratik për Integrim, foleja nga ku bashkë filluam rrugëtimin e arritjeve kombëtare, vatra e ndërtuar mbi amanetin e dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, mbushi sot 22 vite nga themelimi i saj.
Këto 22 vite që i lëmë pas krahëve janë vite pune e sakrifice të sinqertë që bashkë i kemi kaluar për të ruajtur dinjitetin tonë kombëtar, për të etabluar barazinë, për të dëshmuar kapacitet tona intelektuale dhe mbi të gjitha për të ruajtur orientimin euroamerian të vendit.
Fitore të njëpasnjëshme në çdo cikël zgjedhor arritëm në këto 22 vite sepse kauzat tona ishin të drejta e të sinqerta, nuk cënonin askënd dhe mbi të gjitha ato ishin zëri juaj i kërkesës.
Sot gjuha shqipe jehon kudo në vendin tonë, flamuri kombëtar valon i lirë në duar tona, fëmijët tanë mësojnë shqip në shkolla e univerzitete, udhëhpqëm Qeverinë, Kuvendin e drejtuam me dinjitet, OSBE-n e kryesuam me sukses të jashtëzakonshëm, udhëhoqëm institucionet kyçe të vendit në shërbim të zhvillimit të vendit.
Shumë nga këto të arritura dikur as nuk mund t’i imagjinonim atëherë kur na cenzurohej gjithçka, kur të punësuar shqiptarë nuk kishim nëpër institucione, kur na shkelej e nëpërkëmbej dinjiteti.
Në çdo çast kemi qenë faktor paqeje e zhvillimi për vendin, vendimtarë në miratimin e Marrëveshjes së Ohrit që solli paqen e brendshme, Marrëveshjes së Prespës që na dërgoi në NATO dhe Marrëveshjes për fqinjësi të mirë që na afron si asnjëherë më parë pranë dyerve të Europës.
Kemi hasur në shumë stërkëmbëza e sfida serioze, por gjithmonë kemi qëndruar të pamposhtur në ballë të idealeve të përparimit të vendit.
Dua të faleminderoj të gjithë anëtarët e Bashkimit Demokratik për Integrim nga çdo këshill vendor për mundin e kontributin e dhënë në shërbim të idealeve përparimtare.
Vazhdojmë bashkë betejat e rradhës nga ku nuk kam aspak dyshim se do të dalim fitimtarë!

VIDEO