Konjufca takohet me homologun nga Maqedonia e Veriut, Afrim Gashi

Shpërndaje

Në kuadër të punimeve të seancës së 11-të plenare të Asamblesë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP PA), që u mbajt sot në Shkup, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, u prit në takim nga kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi.

Përmes një njoftimi për media nga Kuvendit, thuhet se në këtë takim homologët Konjufca e Gashi bashkëbiseduan për zhvillimet politike në të dyja shtetet, për bashkëpunimin e ngushtë që ekziston midis dy vendeve fqinje dhe po ashtu për perspektivën e përbashkët euro-atlantike.

“Kryetari Konjufca uroi Gashin për detyrën e re në krye të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, duke i dëshiruar suksese dhe duke i shprehur njëkohësisht gatishmërinë për të ruajtur dhe avancuar më tej raportet e shkëlqyera ndërparlamentare.

I pari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, duke falënderuar kryetarin Konjufca për pjesëmarrjen e tij në punimet e sotme të SEECP-së, shprehu përkushtimin për të kontribuuar në ndërtimin e urave të reja të bashkëpunimit midis Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, si shembull i marrëdhënieve të ngushta e i miqësisë midis vendeve që ndajnë aspirata të përbashkëta”, thuhet në komunikatë.

Postimi nga Afrim Gashi:

Takim miqësor me Kryetarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Glauk Konjufca.
Diskutuam se si të forcojmë edhe më tej marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe mes vendeve tona, duke u fokusuar në projektet infrastrukturore, bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar, si dhe bashkëpunimin në fushën e arsimit, kulturës dhe shëndetësisë, me qëllim të lehtësimit të komunikimit dhe afrimit akoma më shumë të popujve.
U dakordaum se qëllimi i integrimit evropian është i përbashkët, ndajmë të njëjtën kornizë vlerash dhe orientimesh.