Kuvendi i RMV-së miratoi ligjin që do të parandalojë rritjen e çmimit të energjisë elektrike
Kuvendi i Maqedonisë së Veriut sot pasdite në kuadër të mbledhjes së 8-të, unanimisht me 84 vota “për” e miratoi Ligjin për plotësim të Ligjit për energjetikë me çka do të parandalohet rritja e çmimit të energjisë elektrike prej 1 korrikut të këtij viti për amvisëritë dhe konsumatorët e vegjël të cilët janë në tregun e rregullt, raporton MIA.
Me plotësimet e Ligjit në nenin 1 bëhet plotësimi i nenit 101 përkatësisht shtohet paragrafi (10) i cili ka për qëllim konstatimin e përjashtimit nga paragrafi (9), përkatësisht nëse furnizuesi i emëruar universal e ka siguruar shërbimin universal deri në përfundimin e procedurës së konfirmuar të tenderit të mos jetë i detyruar të themelojë shoqatë të re për sigurim të shërbimit. Me dispozitën e këtillë përveç se sigurt, sigurohet edhe vazhdimësi në furnizimin me energji elektrike. Me nenin 2 bëhet plotësimi i nenit 237 përmes shtimit të paragrafit (14) i cili është harmonizim me nenin 1 nga ky ligj përkatësisht ka qëllim të njejtë sigurimin e sigurt, dhe të vazhdueshëm të furnizimit me energji elektrike.
Me këtë zgjidhje do të sigurohet furnizim i sigurt dhe i vazhdueshëm me energji elektrike i amvisërive dhe konsumatorëve të vegjël.
Paraprakisht ky propozim-ligj e kaloi filtrin e Komisionit për Çështje Ekonomike, Punë dhe Politikë Energjetike, duke e proceduat ndryshimin me procedurë të shkurtuar.
Ndryshe, një grup deputetësh të koalicionit “Maqedonia juaj”, të udhëhequr nga VMRO-DPMNE, më 20 qershor kanë dorëzuar në Kuvend projektligjin për ndryshimin e Ligjit për energjetikë, në procedurë të shkurtuar, me synim parandalimin e rritjes së çmimit të energjisë elektrike për amvisëritë. Ndryshimi i fundit i çmimit të energjisë elektrike ishte në janar të këtij viti.
EVN Home ka pranuar oferta nga kompani të ndryshme rreth çmimit të energjisë elektrike, ashtu që për 85 përqindëshin e nevojave është pranuar oferta e Shoqatat Aksionare Elektranat e Maqedonisë së Veriut, ndërsa për 15 përqindëshin tjetër janë refuzuar çmimet, me arsye se janë më të larta sesa çmimi i tregut.