MaqedoniTop Lajme

Lloga letër ndërkombëtarëve: Shumica parlamentare po përgatitet për “kapjen” e institucioneve

Shpërndaje

Ministri i Drejtësisë Krenar Lloga u dërgoi shkresa Delegacionit të BE-së në Maqedoninë e Veriut, ambasadave të SHBA-së, Gjermanisë, Francës, Holandës dhe Belgjikës, misionit të OSBE-së në Shkup, Zyrës së Programit të Këshillit të Evropës në Shkup, Departamentit të Shtetit përmes Ambasadës së SHBA-së në RMV dhe Komisionit Evropian në Bruksel, në të cilën shpreh shqetësimin për njoftimet e shumicës parlamentare se po përgatisin një pako ligjesh që do të shpërndajnë dy kategoritë kushtetuese dhe të pavarura – Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli i Prokurorëve Publikë.

Më poshtë e gjeni shkrimin e plotë të Llogës:

Përmes shkresës e njoftova komunitetin ndërkombëtar për informacionet për “kapjen” që po përgatitet nga shumica parlamentare mbi institucionet kushtetuese dhe të pavarura.

Sot dërgova shkresa Delegacionit të BE-së në Maqedoninë e Veriut, ambasadave të SHBA-së, Gjermanisë, Francës, Holandës dhe Belgjikës, misionit të OSBE-së në Shkup, Zyrës së Programit të Këshillit të Evropës në Shkup, Departamentit të Shtetit përmes Ambasadës së SHBA-së në RMV dhe Komisionit Evropian në Bruksel, në të cilën shpreh shqetësimin për njoftimet e shumicës parlamentare se po përgatisin një pako ligjesh që do të shpërndajnë dy kategoritë kushtetuese dhe të pavarura -Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli i Prokurorëve Publikë.

Të nderuara Shkëlqesi,

Duke vlerësuar mbështetjen tuaj të vazhdueshme të shprehur përmes projekteve të shumta dhe mjeteve të investuara, të cilat pa dyshim kanë dhënë kontribut thelbësor në proceset reformuese si dhe sigurimin e garancive të forta për sundimin e shtetit të së drejtës, i shqetësuar dhe i ndinjuar po ju drejtohem me këtë letër.

Gjej rastin t’ju informoj dhe të marr vëmendjen tuaj me informacionin për tentimin për “kapjen” e sistemit gjyqësor që po përgatitet nga shumica e re parlamentare. Paralajmërimet se paralelisht me reformën e organeve të administratës dhe riorganizimin e ministrive, shumica qeverisëse në ardhje po përgatit edhe një pako ligjesh që do të shpërndajnë dy organe kushtetuese dhe të pavarura – Këshillin Gjyqësor dhe Këshillin e Prokurorëve Publikë.
Deklaratat e zyrtarëve partiakë për mua personalisht dhe për Ministrinë e
Drejtësisë janë të papranueshme dhe të palejueshme, jo për shkak të mbrojtjes së individëve në këto organe, por sepse kanë të bëjnë me pavarësinë dhe autonominë e institucioneve respektive, për të cilat kemi
marrë raport nga Misioni Vlerësues nga Bashkimi Europian ku saktësisht është treguar se çfarë hapash duhet të ndërmarrin organet shtetërore për përmirësimin e situatës në gjyqësor.

Edhe pse si Ministër i Drejtësisë vitin e kaluar, kur ndodhën ngjarjet në Këshillin Gjyqësor, publikisht dola me qëndrimin për ndërprerjen e mandatit të anëtarëve të saj, gjë për të cilën nuk mora mbështetje nga partnerët e koalicionit, por as edhe nga partitë opozitare, pas konsultimeve të mbajtura me përfaqësuesit tuaj më është këshilluar që Misioni Vlerësues do të skanojë situatën në Këshillin Gjyqësor dhe do të japë rekomandime për tejkalimin e situatës, gjë për të cilën kemi marrë edhe raportin në fjalë.
Rekomandimet e këtij dokumenti u shqyrtuan me vëmendje të veçantë nga përfaqësuesit më të lartë institucionalë, të komunitetit gjyqësor, akademik dhe profesional, sektori civil si dhe palët e tjera. Aq më tepër, që këto rekomandime janë pjesë e dokumenteve më të rëndësishme të vendit tonë, si:
Strategjia për Zhvillimin e Sektorit të Drejtësisë, Udhërrëfyesi për Sundimin e së drejtës, si dhe në Planin për Rritje (UE). Po ashtu është formuar grupi punues për reformat ligjore të Këshillit Gjyqësor ku disa herë u ftuan përfaqësuesit e atëhershëm opozitarë, gjegjësisht bartësit aktualë të shumicës qeverisëse VMRO-DPMNE, ftesa për të cilat nuk morëm asnjëherë përgjigje.

Shprehim shqetësimin tonë serioz se vendosja e një përqendrimi të tillë të tre pushteteve nënkupton kthim të situatës dhe problemeve të para vitit 2017, të cilat padiskutim krijuan një shtet të robëruar, konstatim i cili vjen nga më shumë raporte nga organizata ndërkombëtare.

Në vlerësimin tonë, këto paralajmërime janë të ngutshme dhe të rrezikshme, dhe vlerësojmë se shumica e re qeverisëse duhet të respektojë procesin e krijimit të politikave të duhura, që përfshin vlerësimin e saktë të gjendjes si dhe konsultime për të gjitha marrëveshjet, detyrimet dhe përgjegjësitë që Republika e Maqedonisë së Veriut i ka marrë në raport me Bashkimin Evropian dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë.
Me respekt dhe shqetësim,
Ministri i Drejtësisë
Krenar Lloga