RajoniTop Lajme

Potencial për konflikte në veri, Gjermania: Nuk ikim nga Kosova, misioni në KFOR të zgjatet

Shpërndaje

“Ruajtja e paqes në Ballkan është përgjegjësia jonë”.

Me këtë argument, deputetët gjermanë përkrahin zgjatjen e misionit të ushtrisë gjermane në Kosovë dhe Bosnje Hercegovinë.

Përveç koalicionit në pushtet të tri partive, SPD, të gjelbrit dhe liberalët, edhe partitë opozitare Kristiandemokrate i dhanë mbështetje propozimit të qeverisë gjermane për zgjatjen e mandatit të misionit të Bundesvehrit, si pjesë e KFOR-it në Kosovë.

“Na duhet një KFOR i aftë për veprim për të reduktuar potencialin e vazhdueshëm për konflikte dhe përshkallëzim në veri të Kosovës dhe në kufirin me Serbinë”, tha Florian Hahn.

Vazhdimi i pjesëmarrjes së Gjermanisë në misionin e BE-së EUFOR Althea në Bosnjë-Hercegovinë u miratua edhe nga përfaqësues të Alternativës për Gjermaninë.

Vendimi përfundimtar për propozimin e qeverisë gjermane për zgjatjen e të dy mandateve duhet të merret javën e ardhshme.

Sekretarja e shtetit për Mbrojtjen, Siemtje Möller nga SPD tha se Ballkani Perëndimor është fqinji më i afërt prandaj ruajtja e paqes në rajon ishte përgjegjësi e tyre.

Në propozimin e qeverisë thuhet se bazë për misionin e KFOR-it “është ende Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara” dhe thekson se “si Kosova ashtu edhe Serbia e kanë bërë gjithmonë të qartë se duan vazhdimin e pranisë së KFOR-it”.

Misioni i NATO-s në Kosovë, i cili po vazhdon prej 25 vitesh, është angazhimi më i gjatë i ushtrisë gjermane (Bundeswehr) jashtë vendit.

Numri maksimal i pjesëtarëve të njësive gjermane të veprimit të shpejtë do të mbetet në 400.