BotaTop Lajme

Stoltenberg: Ukraina ka të drejtë të godasë objektivat legjitime në Rusi

Shpërndaje

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se Ukraina e cila lufton kundër Rusisë, “ka të drejtë të godasë objektivat ushtarake legjitime” në këtë vend në kuadër të ligjit ndërkombëtar, transmeton Anadolu.

Stoltenberg vizitoi anëtaren e re të NATO-s, Suedinë, dhe foli në një konferencë të përbashkët të mbajtur me kryeministrin e Suedisë, Ulf Kristersson.

Duke vënë në dukje se Suedia ka siguruar kontribut me rrugë të ndryshme për mbrojtjen dhe sigurinë kolektive, Stoltenberg u shpreh se ata po punojnë për të krijuar një kornizë “të mirë dhe të fortë” edhe në çështjen e mbështetjes që NATO ka siguruar për Ukrainën.

Në një vlerësim lidhur me luftën në Ukrainë e cila është bërë problem për sigurinë e kontinentit evropian, Stoltenberg tha se “Sa më i fortë të jetë angazhimi afatgjatë i NATO-s ndaj Ukrainës, aq më shpejt mund të përfundojë lufta në Ukrainë”.

Ai potencoi se “Ukraina ka të drejtën për t’u vetëmbrojtur dhe se kjo e drejtë përfshin edhe goditjen e objektivave ushtarake legjitime në territorin e Rusisë e cila është pala që ka sulmuar”.

Kohët e fundit, vendet perëndimore kryesisht Franca dhe Gjermania që ofrojnë mbështetje për Ukrainën, kanë bërë deklarata për heqjen e kufizimeve për përdorimin jashtë Ukrainës të armëve që i kanë dhuruar këtij vendi.