Taravari tërhiqet nga Komuna e Gostivarit, do të vazhdojë si Ministër i Shëndetësisë
Kryetari i deritanishëm i Komunës së Gostivarit Arben Taravari nëpërmjet një statusi në rrjetin social Facebook ka bërë të ditur se do të tërhiqet nga pozita e Kryetarit të Komunës së Gostivarit për të vazhduar si Ministër i Shëndetësisë.
Në vendin e Taravarit si u.d Kryetar i Gostivarit do të ulet Valbon Limani.
Taravari thekson se do të jetë gjithmonë i gatshëm për të ndihmuar Gostivarin.
“Unë do të marr detyrën e ministrit të Shëndetësisë, do të jem i angazhuar me partinë dhe me VLEN-in, por gjithnjë do të jem i gatshëm për të ndihmuar Gostivarin”, ka shkruar mes tjerash Taravari.
Postimi i plotë:
Të dashur Gostivaras,
Kjo është një nga letrat më të veçanta në karrierën time, sepse u është dedikuar gostivarasve dhe Gostivarit, qytetit ku linda, u rrita dhe në tokën e të cilit prehet babai im i ndjerë.
Kam pasur privilegjin e madh të përkrahem fuqishëm nga Ju që të jem dy mandate të njëpasnjëshme kryetar komune i këtij qyteti.
Nën slloganin Gostivari i Pari, kemi vazhduar punën deri tani që shkruaj këto rreshta me të njëjtin motiv.
Por tashmë unë kam vendosur të tërhiqem nga kjo detyrë!
Dua të falënderoj ekipin tim, secilin që ka punuar krah meje me dedikim dhe përkushtim!
Ata që kanë punuar me orë të gjata, që kanë dhënë shumë më shumë mund se sa paga e tyre, ata që nuk duken dhe nuk presin shirita inaugurimi, ata janë heronjtë e vërtetë që kanë firmosur çdo rrugë të re, çdo çerdhe, kopsht, shkollë, park e hapësirë publike.
Dua t’u kërkoj ndjesë të gjithë atyre të cilëve nuk kemi arritur t’u kryejmë punë…në një shtet të varfër e sidomos me një qeveri kundêr siç e kishim ne, është shumë e vështirë të kryesh obligimet që ke, por gjithësesi tashmë Ndryshimi politik ka ndodhur dhe kohë më të mira do të vijnë.
Vetëm se marr përsipër çdo përgjegjësi dhe me përulësi ju kërkoj falje!
Mua do të më zëvendësojë Valbon Limani si ushtrues detyre, ky njeri i shkëlqyer, i cili e meriton tashmë atë vend më shumë se unë.
Unë do të marr detyrën e ministrit të Shëndetësisë, do të jem i angazhuar me partinë dhe me VLEN-in, por gjithnjë do të jem i gatshëm për të ndihmuar Gostivarin.
Në fund, ngase jeni më të rëndësishmit, dua t’ju falënderoj Juve Gostivaras!
Ju falënderoj të gjithëve pa asnjë dallim partiak apo etnik!
Ndoshta ju nuk e keni ditur sepse zakonisht këto gjëra nuk thuhen në fjalime dhe tubime politike, por ju keni qenë forca ime dhe sfida ime.
Uroj t’ju bëj krenar në çdo vend dhe në çdo kohë!
Kudo dhe kurdoherë duhet ta dini se derën time e keni të hapur dhe për mua Gostivari do të jetë Përgjithmonë i Pari!