Maqedoni

O’Brien: Po punojmë që RMV-ja të respektojë marrëveshjet me Greqinë dhe Bullgarinë

Shpërndaje

Gjatë një seance dëgjimore përpara Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me jashtë, Ndihmës Sekretari i Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, James O’Brien ka theksuar se Shtetet e Bashkuara po punojnë që qeveria e re e Maqedonisë së Veriut të respektojë Marrëveshjen e Prespës, ai njoftoi se pritet të jenë shumë aktive në bisedimet për mënyrën e saktë të zbatimit të marrëveshjes mes Shkupit dhe Sofjes pasi Bullgaria të ketë një qeveri më të qëndrueshme.

Duke folur për zhgënjimin që kanë vendet e rajonit për shkak të pritjes së gjatë për të hyrë në Bashkimin Evropian, pengesave që u ngritën dhe reformave që duhej të bënin gjatë procesit, veçanërisht Maqedonisë së Veriut, Senatorja Jean Shahin ju drejtua Ndihmës Sekretari i Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, James O’Brien se çfarë mund të bënte më shumë SHBA për të inkurajuar evropianët që të ndihmonin vendet e Ballkanit Perëndimor që kanë bërë reformat e kërkuara prej tyre për të ndaluar shtyrjen dhe për të lejuar që negociatat të ecin përpara.

“Ky është një problem i veçantë. Së pari, kjo është një sfidë e përditshme, të jesh mik i procesit dhe shpesh të mos jesh pjesë e procesit, por do të thotë të inkurajosh vendet të bëjnë reforma të dhimbshme, zyrtarët politikë të vendeve të mos bëjnë kërkesa të mëdha që do të prishnin përparimin. Do të thotë gjithashtu të sugjerosh rrugë alternative” – tha James O’Brien.

Duke folur për RMV-në dhe marrëdhënieve të saj me Greqinë dhe Bullgarinë fqinje, duke theksuar nevojën e respektimit të dy marrëveshjeve, Marrëveshjes së Prespës me Greqinë dhe Marrëveshjes së Fqinjësisë së Mirë dhe Miqësisë me Bullgarinë ai bëri të ditur se SHBA-të do të fokusohen në këtë drejtim.

“Maqedonia e Veriut vuajti për shkak të mosmarrëveshjeve me fqinjët e saj, të cilët vazhdimisht i ndryshojnë kërkesat (qasjen) për të. Një pjesë e punës sonë është të përgatisim në mënyrë diplomatike një mënyrë që (Maqedonia e Veriut) të ruajë marrëveshjen që ka me Greqinë. Dhe mendoj se takimi që keni pasur, si dhe takimet e tjera, ndihmuan që gjërat të qëndrojnë në këtë pikë, që Greqia të bëhet mike e procesit të anëtarësimit të Maqedonisë dhe jo kritike. Çështja kryesore është Marrëveshja që Maqedonia e Veriut ka me Bullgarinë dhe sapo Bullgaria të ketë një qeveri më të qëndrueshme, duhet të diskutohet mënyra e saktë se si duhet të zbatohet. Pra, kjo do të jetë fusha ku pres të jemi më aktiv”, tha ai.

Reagimet për Marrëveshjen e Prespës nisën të vijnë, pasi presidentja e re e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska Davkova, gjatë dhënies së betimit nuk e përdori emrin zyrtar të vendit Maqedonia e Veriut , ndërsa këtë praktikë e vazhdon edhe kryeministri Hristijn Mickoski.

Nga ana tjetër, në raport me Bullgarinë, Maqedonia e Veriut duhet t’i bëj ndryshimet kushtetuese për të ecur përpara në rrugën eurointegruese. Nga VMRO-DPMNE thonë se ndryshimet duhet të hyjnë në fuqi në fund të procesit eurointegrues. /tvklan.mk