Tuneli i Llogarasë shkurton udhëtimin me 45 minuta – Punimet nisën rreth 2.5 vjet më parë, vlera e investimit arrin në 20 mld lekë
Vënia në funksion e tunelit të Llogarasë do të shkurtojë ndjeshëm distancën për të aksesuar jugun e vendit, duke evituar kalimin nga Qafa e Llogarasë. Tuneli me gjatësi 5.9 km do të lejojë një shpejtësi prej 50 – 80 km/orë, ndërkohë që vëllimi i makinave gjatë sezonit turistik pritet të arrijë në 10 mijë.
Punimet për ndërtimin e tunelit nisën në 15 nëntor të vitit 2021, pas garës tenderuese të zhvilluar që u fitua nga një konsorcium turk i përbërë nga 2 kompani (Intekar yapi turizm elektrik insaat sanayi ve ticaret limited dhe Sirketi asl insaat taahhut ve sanayi ticaret limited sirketi).
Kontrata për ndërtimin e kësaj vepre ka një kohëzgjatje prej 36 muaj, çka përkon edhe me përfundimin e të gjitha punimeve, që nuk janë kryer aktualisht, ndonëse vepra është e aksesueshme për automjetet.
Konsorciumi turk u shpall fitues me ofertën prej 17,036,526,000 lekëve, pa TVSH. Së bashku me Tatimin mbi Vlerën e Shtuar kosto për ndërtimin e tunelit të Llogarasë shkon në rreth 20 mld lekë dhe që është një investim i buxhetit të shtetit.
Sipas vlerësimeve, Tuneli i Llogarasë do të shkurtojë kohën e aksesimit të jugut të vendit me rreth 45 minuta. Ai nis nga Ura e Shën Elizës dhe del në Urën e Palasës, ndërsa është pjesë e seksionit rrugor Orikum – Himarë, pjesë e Autostradës Vlorë – Sarandë.