ASh e Selës: VLON nepotizmi, ministri Limani e ka emëruar drejtor vëllain e tij
Aleanca për Shqiptarët-krahu i Selës ka akuzuar për nepotizëm ministrin e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Fatmir Limanin. Nga ASH thonë se ministri Limani e ka punësuar si drejtor vëllain e tij në Qendrën për Punë Sociale në Kërçovë. Prej atje thonë se kjo paraqet konflikt interesi dhe është në kundërshtim me ligjin, ndërkohë që ftoi Komisionin Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit si dhe Prokurorinë Publike që ta hetojnë rastin.
“VLON Nepotizmi, Fatmir Limani ministër, vëllaun e mban drejtor. Nepotizmi dhe konflikti i interesit gjithnjë e më shumë po bëhen sinonim i koalicionit jolegjitim VLEN dhe funksionarëve të saj. Vëllau i Fatmir Limanit, Ministër i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Dashmir Limani, vazhdon të jetë drejtor i Qendrës për Punë dhe Politikë Sociale në Kërçovë. Kjo situatë paraqet konflikt interesi dhe është në kundërshtim të hapur me ligjin”.
“Ftojmë Komisionin Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit si dhe Prokurorinë Publike që të shqyrtojnë dhe të zgjidhin këtë situatë, pasi ministri Limani gati tre muaj nga marrja e detyrës nuk ka vepruar dhe dy vëllezërit vazhdojnë të mbajnë dy pozicionet”.
“Përveç shkeljes flagrate të ligjit, kjo dëshmon edhe dyftyrësinë e partive shqiptare që pa legjitimitet kanë hyrë në Qeveri dhe zotimet e tyre të rrejshme për qeverisje të drejtë dhe transparente, si dhe konfirmon paralajmërimet tona, se hyrja e tyre në Qeveri ka për qëllim vetëm interesat e ngushta partiake, familjare dhe individuale”, thuhet në kumtesën e ASH-krahu i Selës.