Atentati ndaj Donald Trump në Pensilvani, pezullohen nga detyra pesë agjentë të Shërbimit Sekret

Shpërndaje

Të paktën pesë agjentë të Shërbimit Sekret janë pezulluar nga puna pas atentatit ndaj Donald Trump në Pensilvani.

CBS News raporton se nga detyra janë pezualluar kreu i zyrës së agjencisë në Pittsburgh që koordinoi sigurinë me policinë lokale, tre agjentë nga e njëjta zyrë dhe një anëtar i ekipit personal të Trump.

Zëdhënësi i Shërbimit Sekret tha se hetimet për një dështimi operacional është në vazhdim. Ai shtoi se agjentët mbahen sipas standardeve më të larta profesionale dhe çdo shkelje mund të çojë në masa disiplinore.

Gjatë atentatit të 13 korrikut, Trump u plagos në veshin e djathtë nga një plumb i 20-vjeçarit Thomas Crooks, që u qëllua për vdekje nga një snajper i Shërbimit Sekret.

Po ashtu, gjatë sulmit mbeti i vrarë dhe një qytetar, i cili po ndiqte fushatën e Trump.

Ditë më vonë, shefja e Shërbimit Sekret Kimberly Cheatle dha dorëheqjen pasi u përball me anëtarët e Kongresit, e ku ajo nuk arriti të jepte përgjigje për sulmin dhe përgjigjen e agjentëve të saj.

Pas këtej episodi, tashmë në fjalimet e tij të fundit, Trump është shfaqur duke folur i rrethuar nga një xham antiplumb.