BotaTop Lajme

Guterres thirrje për përfundim “të menjëhershëm” të operacionit ushtarak izraelit në Bregun Perëndimor

Shpërndaje

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres, tha se Izraeli duhet të përfundojë “menjëherë” ofensivën e tij ushtarake në shkallë të gjerë në Bregun Perëndimor të pushtuar, transmeton Anadolu.

Guterres dënoi ashpër “humbjen e jetëve, duke përfshirë fëmijë” dhe bëri thirrje për “ndërprerje të menjëhershme të këtyre operacioneve”.

Sekretari i Përgjithshëm “i bën thirrje Izraelit të respektojë detyrimet e tij përkatëse sipas ligjit ndërkombëtar humanitar dhe të marrë masa për të mbrojtur civilët dhe për të garantuar sigurinë e tyre. Ai u kërkon forcave të sigurisë të ushtrojnë përmbajtje maksimale dhe të përdorin forcën vdekjeprurëse vetëm kur është tejet e pashmangshme për të mbrojtur jetë”, tha në një deklaratë të gjatë zëdhënësi i kreut të OKB-së, Stephane Dujarric.

Fushata ushtarake e Izraelit është më e madhja në Bregun Perëndimor që nga viti 2002 gjatë Intifadës së Dytë. Bastisjet kanë ndodhur në veri të territorit të pushtuar, duke përfshirë provincat Nablus, Tulkarem, Jenin dhe Tubas.

E përditshmja izraelite Yedioth Ahronoth njoftoi se Izraeli po përdor dy brigada të ushtrisë, helikopterë, dronë dhe buldozerë.

Guterres theksoi se të lënduarit “duhet të kenë qasje në kujdesin mjekësor dhe punonjësit humanitarë duhet të jenë në gjendje të arrijnë të ndihmojnë të gjithë në nevojë”.

“Këto zhvillime të rrezikshme po nxisin një situatë tashmë shpërthyese në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe po minojnë më tej Autoritetin Palestinez”, tha Dujarric, duke shtuar:

“Në fund të fundit, vetëm përfundimi i okupimit dhe kthimi në një proces politik kuptimplotë që do të vendosë një zgjidhje me dy shtete do t’i japë fund dhunës. Kombet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojnë me të gjitha palët drejt këtij qëllimi, për të kërkuar një de-eskalim të situatës aktuale dhe promovim të stabilitetit në rajon”.

Në një opinion historik më 19 korrik, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e shpalli të paligjshëm pushtimin prej dekadash të tokës palestineze nga Izraeli dhe kërkoi evakuimin e të gjitha vendbanimeve në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor.