RajoniTop Lajme

Kurti në Shkup deklaroi se pret “raport zyrtar”, Osmani thotë se “raportet e përgatitura nga Presidenca dhe Poliicia e Kosovës tashmë janë të finaliziuara dhe të qasshme”

Shpërndaje

Presidenca e Kosovës ka vlerësuar se është për keqardhje mënyra se si u trajtuar incidenti në Aeroportin e Shkupit, në konferencën për media të kryeministrit Albin Kurti me homologun e tij maqedonas Hristijan Mickoski.

Sipas Presidencës ajo i ka kontribuar edhe më shumë propagandës kundër Kosovës.

“Mënyra se si u trajtua incidenti ndaj Republikës së Kosovës në Shkup gjatë konferencës së djeshme për media, është për keqardhje, sepse i ka kontribuar edhe më shumë propagandës kundër Republikës së Kosovës. Ajo që ka ndodhur në aeroportin e Shkupit ka qenë shkelje e qartë e rregullave ndërkombëtare të njohura dhe aplikuara botërisht, prandaj Presidenca pret të njoftohet për masat e ndërmarra lidhur me këto shkelje, ashtu siç është potencuar edhe në notën e protestës të drejtuar nga Republika e Kosovës”, thuhet në reagimin e Presidencës.

Kurti, në këtë konferencë ka thënë se hollësitë e rastit do të zbardhen nga raporti zyrtar që do të hartohet.

“Pa dyshim që ka qenë përjetim dhe përvojë e rëndë e presidentes Vjosa Osmani me 2 gusht në aeroportin e Shkupit aq më tepër që ka qenë me familje dhe me dy vajzat e vogla. Autoritetet e Maqedonisë së Veriut, krerët shtetërorë këtu kanë shprehur keqardhjen e tyre dhe do të ketë një raport zyrtar që do të zbardhë këtë çështje në tërësi dhe hollësi, edhe që të kuptojmë se çfarë saktësisht ka ndodhur, por edhe që të mos na përsëriten kurrë më situatat e tilla”, ka deklaruar Kurti.

Por në reagimin e Presidencës thuhet se “raportet për incidentin e paprecedentë në Aeroportin e Shkupit të përgatitura nga Presidenca dhe Policia e Kosovës janë tashmë të finalizuara dhe të qasshme, dhe kanë qenë tash e sa ditë”.

“Nga këto raporte kuptohet qartë se nuk ka kërkesë për devijim ose anashkalim të rregullave, por përkundrazi, respektim dhe aplikim të konventave dhe të së drejtës ndërkombëtare zakonore, e mbi të gjitha, respekt për Republikën e Kosovës”, thuhet në reagimin e Presidencës.

Tutje në reagim thuhet se Presidenca e vlerëson shprehjen e keqardhjes nga kryeministri i Maqedonisë së Veriut, por theksohet se institucionet e Maqedonisë së Veriut nuk i kanë trajtuar çështjet e ngritura në notën e protestës së Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, në të cilën u kërkuan sqarime sa më të shpejta dhe të plota për incidentin në Aeroportin e Shkupit në të cilin u përfshi presidentja Vjosa Osmani.

“Përderisa e vlerësojmë shprehjen e keqardhjes nga kryeministri i Maqedonisë së Veriut, për fat të keq deri tani në asnjë moment institucionet e Maqedonisë së Veriut nuk i kanë trajtuar çështjet e ngritura në notën e protestës që kanë të bëjnë me shkeljen e të drejtës ndërkombëtare zakonore në raport me Republikën e Kosovës, por përkundrazi, hapur e pa asnjë hezitim e kanë pranuar një shkelje të tillë. Për këtë as nuk duhen raporte e hetime shtesë për ndonjë gjendje faktike, sepse ato janë komplet jorelevante para pranimit publik te institucioneve të Maqedonisë së Veriut se një rregull i tillë është imponuar qëllimshëm, pavarësisht kërkesave të qarta të së drejtës ndërkombëtare”, thuhet në reagim.

Javën e kaluar nga Presidenca bënë të ditur se Vjosa Osmani është përballur me provokime të autoriteteve gjatë kalimit në aeroportin e Shkupit. Sipas tyre, asaj në kundërshtim me rregullat i është kërkuar që të skanojë telefonin. Autoritetet në Maqedoni u arsyetuan se procedurat e ndjekura janë standarde dhe se të njëjtat aplikohen ndaj të gjithë udhëtarëve, përfshirë edhe atyre që përdorin zonën VIP.

Reagimi i plotë:

Presidentja e Republikës së Kosovës ASNJËHERË nuk ka kërkuar tejkalim apo shkelje të procedurave, por respektim të rregullave ndërkombëtare, siç bëhet në të gjithë botën.

Lista e shteteve të cilat i ka vizituar Presidentja Osmani gjatë mandatit të saj si Presidente përfshinë SHBA-të, Shqipërinë, Turqinë, Mbretërinë e Bashkuar, Gjermaninë, Italinë, Austrinë, Belgjikën, Bullgarinë, Çekinë, Finlandën, Kanadanë, Kosta Rikën, Kroacinë, Danimarkën, El Salvadorin, Estoninë, Francën, Greqinë, Islandën, Japoninë, Lituaninë, Luksemburgun, Maltën, Moldavinë, Malin e Zi, Panamanë, Portugalinë, Katarin, Singaporin, Slloveninë, Spanjën, Zvicrën, Tajlandën, Tunizinë, Emiratet e Bashkuara Arabe, Vatikanin, etj. Të gjitha këto shtete, shumicën prej të cilave i ka vizituar disa herë gjatë mandatit, pa përjashtim, i kanë respektuar në plotni rregullat ndërkombëtare sa i përket trajtimit të kreut të shtetit, rrjedhimisht edhe të vet shtetit.

Sipas Kushtetutës së Kosovës, presidentja e vendit përfaqëson shtetin brenda dhe jashtë. Pavarësisht rregullave jashtëzakonisht strikte të sigurisë në aeroportet e shumicës dërrmuese të shteteve të lartpërmendura, ata e pranojnë presidentin e një shteti si përfaqësuesin më të lartë të shtetit dhe kurrë nuk kërkojnë skanimin as të çantës personale e lëre më të telefonit, e aq më pak të kërkohet ‘full body scan’, sepse kjo, në mes tjerash, do të nënkuptonte se janë duke e trajtuar shefin e shtetit – rrjedhimisht shtetin – si rrezik potencial për terrorizëm.

Në çdo vend ku udhëtojmë, nuk është Presidentja që e kërkon një trajtim të tillë. Ky trajtim ofrohet automatikisht nga shtetet pritëse bazuar në njoftimin që bëhet nga ambasadat tona për udhëtimin e presidentes dhe bazuar në të drejtën ndërkombëtare zakonore (e detyrueshme për të gjitha shtetet). Siç shihet nga lista e lartpërmendur, kjo është respektuar në tërësi edhe nga shtete që akoma nuk e kanë njohur Kosovën. Se kjo procedurë respektohet çdoherë e çdokund, Presidentja Osmani e ka konfirmuar edhe me homologë të saj me të cilët ka biseduar këto ditë.

Presidentja e Republikës së Kosovës kërkon respekt për shtetin që përfaqëson, pra Republikën e Kosovës dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë me ngulm në përputhje me rregullat e parimet ndërkombëtare që rregullojnë raportet ndërmjet shteteve.

Raportet për incidentin e paprecedentë në Aeroportin e Shkupit të përgatitura nga Presidenca dhe Policia e Kosovës janë tashmë të finalizuara dhe të qasshme, dhe kanë qenë tash e sa ditë. Nga këto raporte kuptohet qartë se nuk ka kërkesë për devijim ose anashkalim të rregullave, por përkundrazi, respektim dhe aplikim të konventave dhe të së drejtës ndërkombëtare zakonore, e mbi të gjitha, respekt për Republikën e Kosovës.

Mënyra se si u trajtua incidenti ndaj Republikës së Kosovës në Shkup gjatë konferencës së djeshme për media, është për keqardhje, sepse i ka kontribuar edhe më shumë propagandës kundër Republikës së Kosovës. Ajo që ka ndodhur në aeroportin e Shkupit ka qenë shkelje e qartë e rregullave ndërkombëtare të njohura dhe aplikuara botërisht, prandaj Presidenca pret të njoftohet për masat e ndërmarra lidhur me këto shkelje, ashtu siç është potencuar edhe në notën e protestës të drejtuar nga Republika e Kosovës.

Përderisa e vlerësojmë shprehjen e keqardhjes nga Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, për fat të keq deri tani në asnjë moment institucionet e Maqedonisë së Veriut nuk i kanë trajtuar çështjet e ngritura në notën e protestës që kanë të bëjnë me shkeljen e të drejtës ndërkombëtare zakonore në raport me Republikën e Kosovës, por përkundrazi, hapur e pa asnjë hezitim e kanë pranuar një shkelje të tillë. Për këtë as nuk duhen raporte e hetime shtesë për ndonjë gjendje faktike, sepse ato janë komplet jorelevante para pranimit publik te institucioneve të Maqedonisë së Veriut se një rregull i tillë është imponuar qëllimshëm, pavarësisht kërkesave të qarta të së drejtës ndërkombëtare.

Presidenca e Republikës e ka trajtuar këtë incident vetëm në mënyrë ndërinstitucionale e pa e bërë publike, me qëllim të ruajtjes së raporteve ndërmjet dy shteteve, deri në momentin kur një propagandë e përmasave të papara ka filluar kundër Presidentes, me ç’rast Presidenca është detyruar t’i përgjigjet interesimit të shumtë të mediave.

Siç është thënë edhe në reagimet e mëparshme, Presidentja Osmani përgjatë tërë karrierës së saj politike, e në veçanti përgjatë mandatit të saj si Presidente e vendit, ka kontribuuar në zhvillimin dhe thellimin e raporteve pozitive me Maqedoninë e Veriut. Mirëpo ajo nuk mund ta pranojë, në asnjë mënyrë, baltosjen e Republikës së Kosovës. Kjo situatë është lehtë e tejkalueshme nëse ekziston vullnet politik nga Shkupi zyrtar.