Murati fton prokurorinë për hetim: Bashkatdhetarët po detyrohen të paguajnë policë kufitare nga punonjësit e BKS-së
Ministri i Financave, Hekuran Murati, u ka bërë thirrje bashkatdhetarëve që të mos e paguajnë policën kufitare, të cilën thotë se disa punonjës të Byrosë Kosovare të Sigurimit po i detyrojnë ta paguajnë, raporton Gazeta Blic.Ai përmes një postimi në Facebook, ai ka bërë thirrje që të gjithë ata që janë ballafaquar me raste të tilla, të raportojnë te policia.
Postimi i tij i plotë:
Të dashur bashkatdhetarë,
MOS PAGUANI PËR SIGURIMIN KUFITAR!
Policat kufitare 1-mujore për vetura deri në 9 pasagjerë janë të mbuluara nga Qeveria, dhe nuk ka nevojë të paguhet për to, kur hyni në pikat kufitare.
Kemi raportime nga disa bashkatdhetarë se punonjës të papërgjegjshëm të Byrosë Kosovare të Sigurimit nuk informojnë saktë që polica kufitare është e subvencionuar, dhe madje edhe i detyrojnë bashkatdhetarët që të paguajnë për së dyti, për polica që tashmë janë të paguara nga Qeveria.
Ftoj të gjithë ata bashkatdhetarë që janë ballafaquar me raste të tilla, ku u është kërkuar të paguajnë për policën kufitare e që do duhej ta merrnin falas, që rastet t’i raportojnë tek policia në numrin ☎️ 192.
Disa raste tashmë janë raportuar dhe kemi pasur edhe procedimin penal për punonjësit e BKS-së.
Njëkohësisht ftoj edhe Policinë e Kosovës dhe Prokurorinë që t’i trajtojnë me prioritet këto raste të keqpërdorimeve.