Operacion policor ndaj komunave ilegale në veri të Kosovës

Shpërndaje

Policia e Kosovës ka nisur sot një aksion për mbylljen e disa objekteve të strukturave paralele në komunat në veri.

Për aksionin, Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka bërë të ditur se janë mbyllur pesë komuna paralele, përcjell ALBAZONE MEDIA.

Njoftimi i plotë:

Sot, pas një koordinimi të ngushtë në mes të institucioneve të Republikës së Kosovës, janë mbyllur institucionet paralele ilegale të Vetëqeverisjes Lokale, të cilat kanë funksionuar nën direktiva të Serbisë duke cënuar kushtetutshmërinë dhe ligjet e Republikës së Kosovës.
Komunat paralele të cilat nuk do të operojnë më janë:
1. Qarku i Mitrovicës së Kosovës
2. Komuna paralele e Mitrovicës
3. Komuna paralele e Zveçanit
4. Komuna paralele e Zubin Potokut
5. Komuna paralele e Leposaviqit.
Këto 5 sot i bashkohen 7 komunave të tjera paralele të cilat u mbyllën në Prizren, Pejë, Suharekë, Istog, Klinë, Rahovec dhe Dragash.
Institucionet e Republikës së Kosovës oftojnë shërbime për të gjithë qytetarët, pa dallim. Ato janë adresa e duhur për të gjitha kërkesat dhe nevojat e qytetarëve tanë. Mbesim të përkushtuar për sa më shumë shërbime me cilësi sa më të lartë.
Qytetarët pa asnjë dallim, kanë adresë të saktë ku mund t’i marrin shërbimet komunale dhe strukturat paralele e kanë të qartë se nuk mund të operojnë jashtë kornizës ligjore të Republikës së Kosovës.
Nuk ka vend për operim ilegal dhe shërbime paralele në asnjë hapësirë të Republikës sonë.

Komunikata e policisë së Kosovës:

KOMUNUKATË PËR MEDIA
Prishtinë, më 30 gusht 2024
Policia e Kosovës, bazuar në kërkesën e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet përkatëse të Kosovës dhe organeve të drejtësisë, është duke zhvilluar një operacion policor në katër komuna në veri të Kosovës.
Qëllimi i operacionit policor është vendosja e rendit dhe ligjshmërisë dhe ndërprerja e aktiviteteve në pesë objekte të cilat janë shfrytëzuar në cilësi të komunave ilegale, e të cilat janë në kundërshtim me rendin juridik kushtetues.
Operacioni policor është duke vazhduar, ndërsa për informacione shtesë do të informoheni pas përfundimit të operacionit.