MaqedoniTop Lajme

Ahmeti takon ambasadorin francez Le Rigoleur: BDI garantues i rrugës europiane të vendit

Shpërndaje

Sot në selinë e Bashkimit Demokratik për Integrim në Tetovë, Ali Ahmeti, zhvilloi takim pune me Ambasadorin e Francës, z. Christophe Le Rigoleur.

Ahmeti uroi Ambasadorin Le Rigoleur për detyrën e re duke e siguruar atë për vazhdimësinë e marrëdhënieve të shkëlqyera me Francën.

Ahmeti falenderoi Ambasadorin për gjithë mbështetjen e Francës për të ardhmën europiane të vendit tonë si dhe ndihmën e Parisit në arritjen e marrëveshjes me Bulgarinë.

Ahmeti foli për shqetësimet për largimin e vendit nga integrimi europian dhe mbajtja e konferencës së dytë ndërqeveritare me Bashkimin Europian.

Përkundër të gjitha stagnimeve dhe padrejtësive tjera, bllokimi i rrugës dhe të ardhmës europiane është i papranueshëm dhe alarmues.

BDI mbetet tërësisht e përkushtuar për të vazhduar rrugën europiane dhe këtë kryeprioritet nuk do ta largojë nga agjenda gjer në realizim përfundimtar.

Gjithashtu, sundimi i ligjit nuk arrihet dot me gjueti politike shtrigash, por vetëm me veting të gjithëpërfshirë të politikanëve, gjykatësve, prokurorëve, oligarkëve dhe gjithë procesit të privatizimit.

Legjitimiteti ndëretnik që rrjedh nga zgjedhje demokratike është themel i stabilitetit të vendit dhe të marrëdhënieve midis etnive në vend, prandaj dhe duhet respektuar dhe zbatuar.