MaqedoniTop Lajme

ASh-ja përsëri e askujt. Gjykata e Apelit kthen lëndën në rigjykim

Shpërndaje

Gjykata e Apelit në Gostivar ka vendosur të kthejë në rigjykim lëndën se kujt i përket Aleanca për Shqiptarët. Fillimisht, Gjykata Themelore në Tetovë vendosi që kjo parti duhet t’i takojë krahut të Ziadin Selës, por pala e pakënaqur, në këtë rast krahu i Taravarit, lëndën e dërguan në Apel. Duke kumtuar lajmin për rigjykim, deputeti i ASH-së – krahu i Taravarit, Rijad Shaqiri, thotë se në fakt partia është vetëm e anëtarësisë dhe asnjë emri të veçantë.

“Pas një telenovele aspak fisnike dhe debate absurd se kujt ishte partia ndërkohë që partia është gjithnjë e shumicës së anëtarëve, Gjykata e Apelit vendosi se edhe ligjërisht Aleanca për Shqiptarët na takon ne, me në krye të urtin dhe të mençurin, Dr.Arben Taravarin”, tha Rijad Shaqiri, ASh-VLEN.

Por deputeti Elmi Aziri nga ASH krahu i Selës, thotë se ky vendim nuk nënkupton se partia do t’i takojë krahut të Taravarit. Shpjegon se procedura thjesht kthehet në rigjykim. Çdo deklaratë tjetër, thotë se bëhet me qëllim për të defokusuar opinionin nga skandalet e Qeverisë.

“Ky vendim nuk nënkupton se i është dhënë palës tjetër por për këtë duhet të vendosë Gjykata Themelore në Tetovë. Duam të rikutojmë po ashtu se vendimi i Gjykatës së Apelit është sjellë pas një stërzgjatje dhe prolongimeve dhe deklaratave të shumta të ish bashkëpartiakëve tanë se citoj: Me ndryshimin e Qeverisë do të ndryshojë edhe vendimi në Apel”, tha Elmi Aziri, ASh krahu i Selës.

Këtë e konfirmon edhe Gjykata e Apelit në Gostivar. Në një bisedë telefonike, nga atje na thanë se nuk janë kompetent për të vendosur se kujt i takon subjekti politik, por vetëm kanë vendosur që lëndën ta kthejnë në rigjykim.

E duke arsyetuar vendimin e Apelit, Rijad Shaqiri nga krahu i Taravarit thotë se në anën e tyre janë shumica e kuvendit qendror, kongresit të përgjithshëm dhe kryesisë qendrore.

“70% e Kuvendit Qendror të partisë tonë, janë nënshkrimet e deponuara në Gjykatë. 70% e kryesisë qendrore është pjesë përbërëse e kësaj strukture dhe 70% e kongresit të përgjithshëm të partisë, janë pjesë përbërëse e këtij organizimi politik. Andaj Gjykata e Apelit ka sjellë vendim komfor këtyre dëshmive materiale të cilat janë të noteruara dhe të deponuara në kuadër të Gjykatës”, shtoi Shaqiri.

Me këtë nuk pajtohet Elmi Aziri.

“Ne jemi të bindur se shumica e delegatëve, anëtarëve të kongresit, anëtarëve të Kuvendit Qendror të strukturës partiake janë pjesë e Aleancës për Shqiptarët aty ku jemi ne. Presim tash pas rikthimit edhe njëherë pas presioneve që janë bërë në Gjykatën e Apelit, lënda është rikthyer në Gjykatën Themelore në Tetovë. Presim që Gjykata Themelore në Tetovë ta verifikojë edhe njëherë vendimin e saj paraprak”, shtoi Aziri.

Përndryshe, Gjykata Themelore në Tetovë, në prill 2024, vendosi që vulat e partisë t’i takojë krahut të Ziadin Selës, ndërsa ky i fundit u zgjodh si kryetar partie nga kryesia e partisë. Për këtë, nga krahu i Taravarit atëkohë ankoheshin se vendimi është sjellë pa seancë dhe deri te vendimi final ishin ndryshuar pesë gjykatës të ndryshëm.