Kurti viziton familjen e Adem Mikullovcit në përvjetorin e vdekjes: Do të jetë i paharruar përgjithmonë për popullin e Kosovës
Kryeministri Albin Kurti në katër vjetorin e vdekjes së Adem Mikullovcit ka vizituar familjen e këtij të fundit.
Kurti thotë se Adem Mikullovci do të jetë i paharruar e i nderuar përgjithmonë gjerësisht për popullin e Kosovës
Postimi i tij:
Sot vizituam familjen e Adem Mikullovcit, aktorit tonë të shquar, patriotit e veprimtar kombëtar, në katër vjetorin e vdekjes së tij. Na mikpriti ngrohtësisht bashkëshortja e tij, zonja Lumnije.
Intelektualët dhe artistët e mëdhenj si Ademi, në momentet e rëndësishme historike e kanë vendosur veten në ballë të popullit, pa marrë parasysh rrezikun. Adem Mikullovci pa u trembur prej përndjekjes nga regjimi mizor serb, ishte pjesëmarrës i Kuvendit që shpalli Kushtetutën e Kaçanikut më 7 shtator 1990, dhe gjithnjë ishte me vepër e me zemër pranë çështjes kombëtare.
Megjithatë ai kurrë nuk e la pas dore skenën dhe humorin, pasionet e tij jetësore. Në ato vite terri të thellë buzëqeshja e tij e mençur na sillte pakëz dritë dhe shpresë. Por edhe më vonë, gjatë lirisë që do ta kemi përgjithmonë,
Adem Mikullovci diti të bëjë humor shpotitës dhe ironik me fenomene të ndryshme negative të shoqërisë sonë, e sidomos të kastës drejtuese. Injoranca e lakmia në pushtet, prapambetja, ishin dukuri që i jepnin një tis trishtimi buzëqeshjes së artistit tonë të madh. Megjithatë buzëqeshja në fund triumfonte. Kjo ishte mënyra e tij për të kritikuar dhe për të kontribuar në përparimin tonë shoqëror. Ai ka qenë kontribues i madh edhe në Lëvizjen VETËVENDOSJE!, si veprimtar e deputet.
Për ne, po edhe gjerësisht për popullin e Kosovës, ai do të jetë i paharruar e i nderuar përgjithmonë.