Mbi 500 të vrarë deri më tani në sulmet e Izraelit ndaj shkollave të OKB-së në Gaza
Të paktën 563 palestinezë kanë vdekur në sulmet që Izraeli ka kryer që nga 7 tetori 2023 e deri më tani ndaj shkollave që i përkasin Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Ndihmë dhe Punë për Refugjatët Palestinez në Lindjen e Afërt (UNRWA) në Gaza, raporton Anadolu.
Sipas deklaratës së bërë nga UNRWA më 11 shtator, 190 objekte ose qendra që i përkisnin agjencisë u shkatërruan pjesërisht ose plotësisht nga sulmet izraelite.
Zëvendësdrejtoresha e Zyrës së Medias të UNRWA-së në Gaza, Inas Hamdan, e cila ka folur për gazetarin e AA-së, tha se kjo shifër është tronditëse.
Hamdan vuri në dukje se të paktën 563 njerëz kanë vdekur dhe 1.790 të tjerë janë plagosur në sulmet e kryera ndaj shkollave të UNRWA-së që nga fillimi i luftës.
Duke deklaruar se deri më tani kanë vdekur 220 njerëz nga personeli i UNRWA-së që ofronte ndihma shëndetësore dhe ushqimore për të zhvendosurit si rezultat i sulmeve të Izraelit, Hamdan paralajmëroi se situata humanitare në Gaza do të përkeqësohet nëse nuk sigurohet mjedisi i sigurt i nevojshëm për UNRWA-në për të vazhduar punën e saj.
Izraeli goditi të njëjtën shkollë për të pestën herë
Në deklaratën e bërë nga Drejtoria e Mbrojtjes Civile në Rripin e Gazës, thuhet se në sulmin në shkollën Al-Jaouni humbën jetën 18 persona, mes tyre gra dhe fëmijë, ndërsa u plagosën 18 të tjerë.
Në deklaratë thuhet se ky ishte sulmi i pestë që ushtria izraelite ka kryer ndaj së njëjtës shkollë.