RajoniTop Lajme

Pas tri orësh ndjekje, arrestohet i dyshuari për plagosjen e dy personave në Malësi të Madhe

Shpërndaje

Pas afro tri orësh ndjekje, Policia e Shtetit në Shqipëri ka arrestuar një person të dyshuar për plagosjen e dy personave në fshatin Vrakë të Malsisë së Madhe.

Sipas njoftimit, ngjarja ka ndodhur sot më 15.09.2024, në hyrje të një lokali, ku shtetasi L. R., tentoi të vriste me armë zjarri shtetasit B. C., dhe A. H, të cilët mbetën të plagosur.

Tutje thuhet se i dyshuari, u largua nga vendi i ngjarjes duke marrë me vete dhe armën e zjarrit, shërbimet e Policisë menjëherë u vunë në ndjekje të tij.

“Shërbimet e Policisë menjëherë u vunë në ndjekje të tij. Nisur nga fakti që autori ishte i armatosur, në ndihmë të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe të Komisariatit të Malësisë së Madhe, shkuan Forcat Kombëtare të Sigurisë, Njësia Shkodër dhe dy grupe të Forcave Speciale Renea, për të bërë të mundur neutralizimin dhe kapjen e autorit”- thuhet në njoftim.

Tutje është bërë e ditur se ndërkohë Shërbimet e Policisë Kufitare morën masa për bllokimin e kufirit me qëllim mos lejimin e largimit drejt Malit të Zi, të autorit të dyshuar.

Pas afro tre orë ndjekjeje dhe kontrollesh, Forcat Speciale Renea, në zonën e ballkonit të Tamarës, lokalizuan dhe rrethuan autorin e dyshuar duke i bërë thirrje që ai të dorëzohej.

“Shtetasi L.R, nuk i’u përgjigj thirrjes për dorëzim, por tentoi disa herë që të dilte nga rrethimi duke përfituar edhe nga koha e keqe me rreshje shiu dhe nga zona e pyllëzuar, por nuk ka mundur dot të largohet dhe pas disa minutash në rrethim është kapur e vënë në pranga”- thuhet tutje në njoftim.

Tutje Policia e Shtetit ka njoftuar se Shërbimet e Policisë po vijojnë kontrollin e zonës për të gjetur armën e zjarrit, të cilën shtetasi L.R, dyshohet se e ka fshehur kur ka parë Forcat Speciale Renea që e kishin rrethuar.