Skandali me shitjen e diplomave fallso nga Tirana në Itali/ Mediat italiane zbardhin skemën: Zyrtarja shqiptare korruptohet me një çantë Luis Vitton, në dosje dhe një ish-ministër
Mediat italiane kanë publikuar hetimin e Guardia Di Finanza Italiane e cila ka zbuluar se nga Tirana me mijëra diploma false janë shitur për shtetas italian.
Sipas artikujve të shtypit italian, pjesë e skemës është edhe një zyrtar i qeverisë shqiptare i cili ka favorizuar italianët të ndërtonin skemën e tyre të mashtrimit nëpërmjet, Kolegjit Universitar WISDOM.
Ky institucion që në vendin tonë vepronte si institucion i arsimit të lartë, është provuar se shpërndante diploma dhe çertifikata false për qytetarë italianë që synonin të futeshin në administratë. Këta shtetas, paguanin nga 8.000 euro për letra false.
Të arrestuarit lidhur me skandalin janë: Maria Saveria dhe Fortunata Giada Modaffari, përkatëshisht 38 dhe 35 vjeç, lindur në Reggio Calabria; Maria Ornella Attisano, 57 vjeç, nga Locri; Lucia Catalano, alias Lucy, 44 vjeç, nga San Severo; Savino Cianci, i njohur si Nino, 60 vjeç, nga Trani; Leonardo Catalano, i njohur si Leo, 42 vjeç nga San Severo; Marco Lombardi, 52 vjeç, nga Stornarella (Foggia); Antonio Caporale, 33 vjeç, nga Foggia; dhe Maria M’Daraa, 36 vjeç, nga Stornarella (Foggia).
Referuar dokumentave të qendrës kombëtare të regjistrimit të biznesit, Savino Cianci rezulton pronar i Kolegjit WISDOM dhe Leonardo Catalano është administrator.
Edhe pse emri zyrtarit shqiptarë të korruptuar nuk është bërë publik, weblajm ka mundur të mësojë nga burime pranë GDF se ai është pjesë e sistemit universitar në drejtorinë e diplomave në vendin tonë dhe quhet Shqiponja Telhaj. Po ashtu pjesë e emrave në dosjen italiane është edhe një ish-ministër i Arsimit.