Bota

Biden: Ka ardhur koha që të përfundojë lufta në Gaza

Shpërndaje

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden lidhur me vrasjen e liderit të Hamasit, Yahya Sinwar, tha se “Ka ardhur koha për t’i dhënë fund kësaj lufte dhe rikthimin e pengjeve në shtëpi”, transmeton Anadolu.

Duke zbritur nga avioni në Berlin në të cilin ndodhet për vizitë në Gjermani, Biden dha deklarata për gazetarët lidhur me vrasjen e liderit të Hamasit, Yahya Sinwar.

Biden tha se ka telefonuar kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe e ka përgëzuar ndërsa ka thënë se tani është koha për të ecur përpara.

“Ka ardhur koha për përfundimin e kësaj lufte dhe për të rikthyer pengjet në shtëpi. Kjo është ajo që ne jemi të gatshëm të bëjmë”, theksoi Biden i cili shtoi se duhet të ndërmerret hap për sigurimin e armëpushimit në Gaza.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken pas disa ditësh do të vizitojë Izraelin dhe do të diskutojë mbi situatën e fundit me bashkëbiseduesit e tij, njoftoi Biden duke dhënë mesazhin se duan të hyjnë në një proces konkret lidhur me çështjen e armëpushimit.