Bota

Biden: Nuk besoj se do të ketë konflikt të gjerë në Lindjen e Mesme

Shpërndaje

Presidenti Joe Biden tha të premten se nuk e dinte nëse Kryeministri Benjamin Netanyahu po mbante pezull bisedimet e paqes për të ndikuar tek rezultati i zgjedhjeve presidenciale amerikane.

“Asnjë administratë nuk e ka ndihmuar Izraelin më shumë se unë. Bibi (Benjamin Netanyahu) duhet ta ketë parasysh këtë gjë. Nuk e di nëse ai po përpiqet të ndikojë në zgjedhjet amerikane, nuk e di, por nuk po e llogaris këtë”, tha Presidenti Biden.

Në një dalje të rrallë në sallën e shtypit të Shtëpisë së Bardhë, Presidenti Biden u pyet lidhur me komentet e Senatorit demokrat Chris Murphy, i cili tha këtë javë për rrjetin CNN se ishte i shqetësuar sepse zoti Netanyahu por tregonte një interes të vogël për arritjen e një marrëveshjeje për paqen, pjesërisht për shkak të politikës në Shtetet e Bashkuara.

Presidenti Biden ka kërkuar prej kohësh arritjen e një marrëveshjeje armëpushimi. Ai dhe ndihmësit e tij kanë thënë disa herë gjatë muajve të fundit se një marrëveshje e tillë ishte pranë arritjes.

Por marrëveshja në fjalë nuk është materializuar ndonjëherë, dhe në disa raste zoti Netanyahu ka shprehur publikisht rezistencën ndaj kësaj mundësie, ndërsa zyrtarët amerikanë dhe izraelitë vazhdojnë bisedime në rrugë private për arritjen e një armëpushimi.

Ndërkohë, Izraeli ka bërë përparime në dy fronte, duke zhvilluar një inkursion tokësor kundër Hezbollahut në Liban, ku humbën jetë tetë ushtarë izraelitë dhe ka ndërmarrë sulme në Gazë, ku janë vranë dhjetëra njerëz, përfshirë fëmijë.

Izraeli gjithashtu është zotuar të hakmerret për sulmin iranian me raketa ndërsa shtohet frika për një konflikt rajonal.

Presidenti Biden tha se ende nuk ishte marrë një vendim lidhur me reagimin ndaj Iranit, pavarësisht zërave për një sulm izraelit ndaj rezervave iraniane të naftës.

“Po të isha në vendin e tyre, do të mendoja për alternativa të tjera, në vend të rezervave të naftës”.

Presidenti Biden gjithashtu hodhi poshtë zërat se ai po kërkonte një takim me zotin Netanyahu për të diskutuar lidhur me përgjigjen ndaj Iranit.

“Kur të marrin vendimin se si do të përgjigjen, atëherë ne do të bisedojmë”, tha Presidenti Biden.

Sidoqoftë, marrëdhëniet mes dy udhëheqësve kanë lënë për të dëshiruar. Presidenti Biden bëri të njohur publikisht ndalimin e dërgimit në Izrael të bombave të rënda dhe ka shprehur gjithnjë e më shumë shqetësimin mbi mundësinë e një konflikti të gjerë në Lindjen e Mesme.

“Nuk besoj se do të ketë një konflikt të gjerë”, tha Presidenti Biden të enjten në mbrëmje. “Unë mendoj se mund ta shmangim atë. Por ka ende shumë për të bërë”.

Me urdhër të Presidentit Biden, ushtria amerikane ka shtuar praninë në rajon për të mbrojtur Izraelin nga sulmet e Hamasit, Hezbollahut, Iranit dhe rebelëve Houthi. Në muajin prill dhe në fillim të kësaj jave, Shtetet e Bashkuara luajtën rolin kryesor në rrëzimin e raketave iraniane që kishin si objektiv Izraelin.