Bislimi: S’mund të insistohet në Asociacion pasi fillimisht duhet të zgjedhen udhëheqjet e reja të komunave
Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, ka folur pas takimit trelateral me homologun e tij serb, Petar Petkoviq dhe emisarin special të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.
Bislimi tha se nuk mund të insistohet në themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, pa u zgjedhë kryetarët e rinj të komunave.
“Nuk mund të insistohet për Asociacionin pasi për këtë punë së pari duhet të zgjedhën udhëheqjet e reja të komunave. Dhe mendoj se duhet të plotësohen disa kushte të tjera, por ne e kemi bërë të qartë se në atë moment kur ka dakordësim për zbatim të plotë të Marrëveshjes Bazike, Kosova s’i ikë asnjërit prej obligimeve”, tha Bislimi, njofton Klankosova.tv.
Tutje, ai tha se për sa i përket planit nëntë të 8 dhjetorit, Kosova i ka pasur komentet e veta në planin e sekuencimit dhe planin nëntë, ku siç tha, kanë treguar se me çfarë përmirësime ai plan bëhet i pranueshëm për palën kosovare.
“Ne kemi pasur komentet tona në planin e sekuencimit dhe planin nëntë ku kemi treguar se me çfarë përmirësime ai plan bëhet i pranueshëm për palën kosovare. Ndërkaq, Serbia s’ka hyrë fare në këtë diskutim”.
“Serbia ka preferuar vetëm ecjen përpara në mënyrë parciale, ku palët zotohen vetëm për një element të marrëveshjes për ta zbatuar. Mendoj që ky është dështim bukur i madh i këtij rundi, meqë ajo ka qenë tema kryesore e bisedimeve të sotme”, tha ai.