BotaTop Lajme

Erdoğan: Nuk do të ndalemi derisa të kemi një Türkiye krejtësisht të pavarur në industrinë e mbrojtjes

Shpërndaje

Presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan, u shpreh se shteti turk nuk do të ndalet derisa të bëhet krejtësisht i pavarur në industrinë e mbrojtjes, raporton Anadolu.

Presidenti Erdoğan foli në ceremoninë e dorëzimit të helikopterit vendas T625 Gökbey të mbajtur në selinë e kompanisë së Industrive Turke të Aviacionit dhe Hapësirës (TUSAŞ), pikërisht në datën kur shënohet 101-vjetori i shpalljes së Republikës së Türkiyes.

Helikopteri Gökbey u zhvillua për të plotësuar nevojat e Komandës së Përgjithshme të Xhandarmërisë.

“Ne nuk do të ndalemi e as nuk do të pushojmë derisa të realizojmë ëndrrën tonë, të bëhemi një Türkiye krejtësisht e pavarur në industrinë e mbrojtjes”, u shpreh Erdoğan, duke shtuar:

“Me më shumë se 1.000 projekte vendase në industrinë e mbrojtjes në vlerë prej 100 miliardë dollarësh, jemi bërë një shtet i vetëmjaftueshëm në këtë fushë”.

Presidenti i Türkiyes gjithashtu tha se vendi i tij është prodhuesi më i madh në tregun e dronëve në botë. “Kompanitë turke kanë realizuar 65 për qind të shitjeve të dronëve të armatosur në botë që nga viti 2018”, theksoi ai.

Duke folur për sulmin e fundit terrorist që ndodhi në TUSAŞ në Ankara, Erdoğan e quajti atë “përpjekje e fundit e organizatës separatiste”, duke pohuar se terrorizmi nuk ka vend në të ardhmen e Türkiyes dhe rajonit.

“Sulmet terroriste, si ai në TUSAŞ, asnjëherë nuk mund të thyejnë vendosmërinë e Türkiyes në luftën kundër terrorizmit”, tha presidenti Erdoğan, duke shtuar:

“Pa marrë parasysh nëse është brenda apo jashtë kufijve tanë, askush nuk mund të na pengojë në eliminimin e çdo kërcënimi që zbulojmë kundër vendit tonë”.

Presidenti i Türkiyes gjithashtu u shpreh se vendi i tij asnjëherë nuk heziton të eliminojë kërcënimet terroriste në burimin e tyre.

Erdoğan foli edhe për sistemet e mbrojtjes ajrore, duke u shprehur: “Tani kuptohet shumë më mirë se sa të rëndësishme janë për sigurinë tonë sistemet tona të mbrojtjes arjore me shtresa”.

“Nëse ata kanë Kupolën e Hekurt, ne do të kemi Kupolën e Çelikut. Türkiye do të përmirësojë aftësitë e saj raketore me rreze të gjatë veprimi”, u shpreh presidenti Erdoğan.