Bota

Erdoğan: Türkiye dërgon ndihma në Bosnjë e Hercegovinën e goditur nga përmbytjet

Shpërndaje

Türkiye ka bërë të ditur planet për të ofruar një paketë gjithëpërfshirëse të ndihmës për zonat e goditura nga përmbytjet dhe rrëshqitja e dheut në Bosnjë e Hercegovinë, transmeton Anadolu.

Në llogarinë e tij në X, presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, shprehu ngushëllime për personat që humbët jetën në përmbytjet në Bosnjë e Hercegovinë dhe gjithashtu u uroi shërim të shpejtë të plagosurve.

“Ne po dërgojmë ndihmën tonë, duke përfshirë strehim emergjent dhe nevoja ushqimore në rajonin ku u arritën trupat e pajetë të 18 personave dhe ku operacionet e kërkim-shpëtimit për 40 persona vazhdojnë”, tha ai.

Presidenti turk njoftoi se paketa përfshin 96 gjeneratorë, 60 kontejnerë, 168 shtretër, 84 komplete kuzhine, 1.050 batanije, 1.130 pako ushqimore dhe furnizime, dy tonë miell, dhjetë pompa kullimi të ujit, dy palete uji, si dhe komplete të kujdesit personal, kondicionerë, frigoriferë dhe ujë të pijshëm.

Türkiye e gatshme të ndihmojë në plotësimin e çdo nevoje

Hamza Taşdelen, nënkryetari i Autoritetit Turk të Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD), i cili vizitoi rajonet më të goditura të Bosnjë e Hercegovinës, tha se Türkiye është e gatshme të plotësojë të gjitha nevojat për strehimore dhe çdo gjë që duhet bërë në rajon.

Osman Ćatić, kryebashkiaku i qytetit Konjicë, shprehu mirënjohje për Türkiyen, duke theksuar se mbështetja e AFAD-it do të sigurojë strehimin e nevojshëm për banorët e zhvendosur.

Përmbytjet e fundit morën jetën e 18 personave dhe shkaktuan dëme të mëdha në të gjithë Bosnjë e Hercegovinën.