Krasniqi për Urën e Ibrit: S’ka arsye të qëndrojë e mbyllur
Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka thënë se situata në veriun e Mitrovicës është e qetë dhe se s’ka arsye që ura e Ibrit të qëndrojë e mbyllur.
Gjatë një konference për media pas mbledhjes së Qeverisë, Krasniqi theksoi rëndësinë e hapjes së kësaj ure për komunikimin mes qytetarëve të veriut dhe jugut, raporton gazeta online Reporteri.net.
“Qytetarët nga veriu kalojnë në pjesën jugore dhe anasjelltas. Nuk ka asnjë arsye që kjo urë të qëndrojë e mbyllur. Situata është e qetë, e kontrolluar, dhe hapja e urës nuk do të kishte asnjë ndikim negative. Ne jemi gati që urat të hapet, nuk e kemi asnjë agrumet para vetes që ura të mos hapet. Ne po presim që edhe partnerët tanë të jenë gati”, ka deklaruar Krasniqi.
Ndër të tjerash, ministri vlerësoi që në Kosovë s’ka vend për institucione paralele.
“Kemi ardhur në situatën ku jo vetëm institucionet e sigurisë por edhe mediat e kanë mundësinë të raportojnë nga atje. Nuk ka hapësirë në Kosovë për institucione paralele, ato do të mbyllen të gjitha”, ka shtuar Krasniqi.
Ndërkaq, i pyetur për kërkesat për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Krasniqi ka thënë se “s’ka përgjigje të re për diçka që nuk është e re”. /Reporteri.net/.