Bota

Macron: Netanyahu nuk duhet të harrojë se Izraeli u krijua me vendim të OKB-së

Shpërndaje

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka deklaruar se kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, nuk duhet të harrojë se vendi i tij u krijua me një vendim të Kombeve të Bashkuara (OKB), transmeton Anadolu.

Sipas mediave franceze, gjatë një takimi me dyer të mbyllura në Pallatin Presidencial Elysee, Macron iu referua rezolutës së miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së në nëntor të vitit 1947 në lidhje me ndarjen e Palestinës në një shtet hebre dhe në një shtet arab.

Macron, i cili ka bërë thirrje për të ndaluar eksportin e armëve në Izrael për përdorimin e tyre në Gaza dhe Liban, paralajmëroi se nuk është koha për të injoruar vendimet e OKB-së.

Pavarësisht kritikave ndërkombëtare dhe thirrjeve për armëpushim, Izraeli vazhdon ofensivën si në Gaza ashtu edhe në Liban.

Franca gjithashtu ka dënuar zjarrin izraelit kundër paqeruajtësve të OKB-së në Libanin jugor.

“Nuk është një vendim i OKB-së”

Në përgjigjeve të komenteve të presidentit Macron, zyra e kryeministrit izraelit lëshoi një deklaratë, sipas të cilës Izraeli nuk u krijua përmes një vendimi të OKB-së, por pas një “lufte për pavarësi”.

“Një kujtim për presidentin francez: Nuk ishte një vendim i OKB-së që themeloi shtetin e Izraelit, por fitorja që u arrit në Luftën e Pavarësisë me gjakun e luftëtarëve tanë heroik, shumë prej të cilëve ishin të mbijetuar të Holokaustit, përfshirë edhe nga regjimi Vichy në Francë”, tha zyra e kryeministri izraelit në platformën sociale X.

“Do të ishte gjithashtu e vlefshme të kujtojmë se në dekadat e fundit, OKB-ja ka miratuar qindra vendime antisemitike kundër Shtetit të Izraelit, qëllimi i të cilave është të mohojnë të drejtën e një shteti hebre për të ekzistuar dhe aftësinë e tij për të mbrojtur veten”, shtoi zyra e Netanyahu-t.