Presidenti Erdoğan: Sulmi terrorist në Ankara synoi “mbijetesën dhe paqen” e vendit
Presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan, tha sot se sulmi terrorist “i neveritshëm” në kompleksin e Industrive Turke të Aviacionit dhe Hapësirës (TUSAŞ) në kryeqytetin Ankara, në fakt synoi “mbijetesën, paqen dhe iniciativat e mbrojtjes” të vendit, transmeton Anadolu.
“Sulmi terrorist kundër TUSAŞ-it, një nga organizatat lokomotivë të industrisë turke të mbrojtjes, është një sulm i neveritshëm që synon mbijetesën dhe paqen e vendit tonë dhe iniciativat tona mbrojtëse që janë simboli i idealit tonë të ‘Türkiyes Plotësisht të Pavarur’”, shkroi Erdoğan në X.
“Që në momentin e parë të sulmit terrorist, forcat tona të sigurisë ndërhynë me shpejtësi dhe neutralizuan terroristët”, tha ai, duke shtuar: “Kombi ynë duhet ta dijë se duart e pista që shtrihen drejt Türkiyes do të thyhen patjetër; asnjë strukturë, asnjë organizatë terroriste, asnjë bosht i së keqes që synon sigurinë tonë nuk do të jetë në gjendje t’i arrijë qëllimet e tyre”.
“Lufta jonë kundër të gjitha llojeve të kërcënimeve terroriste dhe mbështetësve të tyre do të vazhdojë me vendosmëri dhe në mënyrë shumëdimensionale”, theksoi Erdoğan.
Ndryshe, deri më tani, autoritetet turke kanë njoftuar për katër të vdekur dhe 14 të plagosur nga sulmi terrorist.
Ministri i Brendshëm turk Ali Yerlikaya u bëri thirrje njerëzve që ndjekin zhvillimet e fundit të mbështeten në deklaratat nga burime zyrtare.
Ai tha po ashtu se dy terroristë të përfshirë në sulm janë neutralizuar.