RajoniTop Lajme

PS kërkon përjashtim të 24 deputetëve të opozitës nga seanca plenare

Shpërndaje

Një ditë pas dhunës së deputetëve të opozitës në Kuvend, grupi parlamentar i Partisë Socialiste kërkon marrjen e masës disiplinore ndaj 24 deputetëve demokratë dhe mbledhjen e sekretariatit për procedurat, votimet dhe etikën për vlerësimin e masës disiplinore.

Në kërkesën e firmosur nga 11 deputetë socialistë drejtuar kryeparlamentares Elisa Spiropali, ndër masat disiplinore kërkohet edhe përjashtimi i deputetëve demokratë nga seanca plenare dhe komisionet nga 10, 30 dhe 60 ditë.

Gjithashtu në kërkesën e socialistëve theksohet se veprimet e deputetëve të opozitës kanë cenuar rëndë parimet dhe vlerat parlamentare duke dëmtuar rëndë imazhin e Kuvendit, si edhe duke penguar përmbushjen e funksioneve të tij.

Sipas deputetëve socialistë veprimet e kolegëve të opozitës janë në shkelje të hapur të detyrave të tyre si përfaqësues të popullit dhe bien ndesh me normat e mirësjelljes dhe etikës parlamentare.

Ndërkaq pas kësaj kërkese kryeparlamentarja ka vendosur mbledhjen e Sekretariatit për Procedurat, Votimet dhe Etikën nesër në orën 15.00, për shqyrtimin e kësaj kërkese./A2CNN/