BotaTop Lajme

Shpërthen bomba e Luftës së Dytë Botërore në një aeroport në Japoni, anulohen 80 fluturime

Shpërndaje

Një shpërthim është regjistruar në aeroportin Miyazaki të Japonisë të mërkurën.

Mësohet se rasti është regjistruar nga shpërthimi i një bombe të Luftës së Dytë Botërore, e cila shkaktoi një gropë të madhe në një nga pistat e aeroportit.

Pas ngjarjes janë anuluar më shumë se 80 fluturime. Zyrtarët e ministrisë thanë se nuk kishte aeroplan aty pranë kur shpërtheu bomba.

Zyrtarët thanë se një hetim nga forcat e vetëmbrojtjes dhe policia konfirmoi se shpërthimi ishte shkaktuar nga një bombë amerikane 500 kg dhe nuk kishte asnjë rrezik të mëtejshëm.

Një video e kapur pranë aeroportit tregoi shpërthimin teksa dukeshin copa asfalti në ajër si një “shatërvan” pluhuri.

Videot e transmetuara nga televizioni japonez treguan një gropë që thuhet se është rreth shtatë metra në diametër dhe një metër i thellë.

Aeroporti Miyazaki u ndërtua në vitin 1943 si një ish-terren trajnimi fluturimi i Marinës Perandorake Japoneze nga i cili u ngritën disa pilotë kamikaze në misione vetëvrasëse. Një numër bombash të pashpërthyera të hedhura nga ushtria amerikane gjatë Luftës së Dytë Botërore ishin zbuluar në zonë.