MaqedoniTop Lajme

Taravari: Maqedonia e Veriut shumë shpejt do t’i fillojë negociatat me BE-në

Shpërndaje

Maqedonia e Veriut shumë shpejt do të hapë klasterin e parë me Bashkimin Evropian, është optimist ministri i Shëndetësisë dhe një nga liderët e “VLEN-it”, Arben Taravari. I pyetur se cila është baza e optimizmit të shtuar të kryeministrit Hristijan Mickoski për BE-në, sidomos pas samitit të fundit në kuadër të Procesit të Berlinit, Taravari thotë se kanë pasur një bisedë të shkurtër për këtë temë, por detajet i lë të njoftohen nga kryeministri.

“Ajo që më gëzon është se ai është i orientuar drejt Evropës dhe dëshiron që Maqedonia t’i fillojë negociatat sa më shpejt që të jetë e mundur, por, natyrisht, si kryeministër, ai kërkon disa garanci se nuk kemi pengesa të tjera. Neve si vend na ndodh që në vitin 2018 që na premtohet se do të fillojmë negociatat, do të bëjmë lëshime të caktuara si vend dhe më pas nuk do t’i fillojmë. Unë jam ndër të paktët optimistë dhe vazhdoj të mendoj se Maqedonia do të fillojë negociatat me BE-në shumë shpejt”, tha Taravari për “360 gradë”.

I pyetur se sa ka të bëjë me blerjen e kohës dhe përpjekjen për të zbutur goditjen nga fakti që Shqipëria doli përpara dhe vendi jo, Taravari përgjigjet se ka shanse që negociatat me BE të shkojnë paralelisht, edhe pse Shqipëria është një hap përpara Maqedonisë së Veriut.

“Nuk është mirë që u ndamë, por është mirë që filluan. Shqipëria nuk ka pse të qëndrojë me ne, megjithëse mendoj se pengesa për Shqipërinë ishte artificiale. I mbajtën deri sa mbaruan zgjedhjet këtu. Kryeministri Rama ishte shumë korrekt për Maqedoninë, se vërtet edhe Maqedonia e meriton të fillojë negociatat. Ai ishte edhe lider në atë kohë, madje që nga viti 2008 ka pasur rekomandime pozitive nga BE dhe gjithmonë ka një pengesë. Megjithatë, mendoj se nuk bëhet fjalë për të blerë kohë, duhet momentum, duhet një lloj garancie për shtetin dhe për të nisur negociatat.

Shpresoj që negociatat me Shqipërinë të ecin paralelisht, jam shumë optimist për këtë dhe ende mendoj se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor do të anëtarësohen në BE në të njëjtën kohë”, shtoi Taravari.

Për gjashtëmujorin në të cilin “VLEN” pret një plan qeveritar për tejkalimin e ngërçit, Taravari shprehet optimist, duke shtuar se periudha e theksuar kalon në fund të vitit.

“Qëndrimi i VLEN-it është se gjashtë muajt e parë janë për përshtatjen dhe sinkronizimin e qeverisë dhe se na duhet një periudhë për të parë situatën në vendet përreth, konkretisht në Bullgari ka zgjedhje, kështu që duhet të presim një qeveri të qëndrueshme, megjithëse për këtë unë jam një skeptik. Megjithatë, pas kësaj duhet të kemi një plan veprimi dhe të dimë se si do të zgjidhet dhe çfarë do të bëhet. Unë jam optimist, Qeveria ka gjashtë muaj deri në Vitin e Ri, unë jam optimist, paçim fat dhe të fillojmë procedurën e negociatave me BE-në”, shtoi Taravari.